Shpërthim në Stamboll/ Rëndohet bilanci, gjashtë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

13/11/2022 16:06

Një shpërthim ka ndodhur në bulevardin Istikalal të Stambollit këtë pasdite, ku të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe 81 të tjerë janë plagosur.

Guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya, shkroi në Twitter se shpërthimi ndodhi në orën 16:20, ndërsa bilanci i të lënduarve po rritet akoma më shumë.

Në videot e postuara online shihen flakë pas një shpërthimi të fuqishëm, teksa qytetarët shihen duke u larguar nga vendi i ngjarjes.

Një video tjetër shfaqi autoambulancat, ekipet e zjarrfikësve dhe policinë në vendin e ngjarjes. Në mediat sociale u tha se dyqanet në këtë zonë janë mbyllur pas shpërthimit.

Bulevardi ku ndodhi shpërthimi është i frekuentuar nga turistët dhe banorët lokalë dhe aty gjenden dyqane dhe restorante.

Turqia është goditur nga një seri bombardimesh vdekjeprurëse ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, përgjegjësinë e të cilave e  morën grupi militant Shteti Islamik dhe militantët kurdë.

Top Channel