Presidenti Joe Biden bëri sot gafën e parë të turneut të tij aziatik teksa disa sekonda pasi nisi komentet iu referua pritësit të tij nga Kamboxhia, si “kryeministër i Kolumbisë”.
Biden foli pak pasi kryeministri Hun Sen, i cili udhëheq Kamboxhian prej 37 vjetësh, hapi samitin aziatik ASEAN, për të promovuar vendin e tij.
“Dua të falënderoj kryeministrin e Kolumbisë për udhëheqjen e tij në drejtim të samitit ASEAN”, tha Biden në fillim të fjalës së tij, duke vazhduar më tej, pa korrigjuar fare gabimin.
79 vjeçari Biden tingëllonte i qetë teksa lexonte fjalën nga një letër që kishte përpara.
Këto ishin komentet e tij të para në vend gjatë udhëtimit maratonë, me dy fluturime të gjata dhe një ndalesë tre-orëshe në Egjipt.
Me të mbërritur Biden shkoi me autokolonën e tij në hotelin e luksit, ku qëndroi për disa orë.
Më herët ai kishte postuar foto me kryetarin vendas kur mbërriti në hotelin Sokha Hotel në kryeqytetin Phnom Penh, për eventin me disa liderë të rajonit dhe të tjerë që bashkëpunojnë me vendet e Azisë juglindore.
Diktatori vendas duhet të priste vetëm në nisje të samitit për mbërritjen e Biden, sipas gazetarëve që ishin me presidentin.
“Kryeministër!” e përshëndeti Biden kur erdhi, duke pozuar më pas për fotot.
Biden ngatërroi edhe dje emrin e Kamboxias para se të nisej nga Shtëpia e Bardhë, teksa u shpjegonte gazetarëve: “Gjithsesi djema, po nisem fillimisht për në Kairo, më pas drejt Kolumbisë dhe më pas … desha të them Kamboxhia”, duke korrigjuar veten.
Biden shtonte se samiti ASEAN do të “mbrojë kundër kërcënimeve ndaj rendit të bazuar te rregullat” në dy ditë takime intensive.
“Do ndërtojmë një të ardhme më të mirë – një të ardhme siç e duam ne për të gjithë 1 miliardë njerëzit në vendet tona. Do të diskutoj dhe për luftën brutale në Ukrainë dhe pasojat e saj në botë, përfshi dhe ato në Azinë juglindore”, tha ai.
Britanikja Daily Mail shkruante se samiti ASEAN i Biden është lënë disi në hije nga samiti i pritur i G20 në Bali, Indonezi, ku ai do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping, me të cilin SHBA konkurron për supremaci ekonomike e politike në rajon.
Top Channel