Autobusi del papritur nga rruga e bie në liqen duke vrarë 21 pasagjerë në veri të Egjiptit (fotot)

12/11/2022 19:28

Të paktën 21 njerëz janë vrarë dhe gjashtë janë plagosur në një aksident të rëndë sot në Egjipt, kur një minibus doli nga rruga dhe ra në një liqen të vogël në Deltën e Nilit, njoftoi ministria vendase e shëndetësisë.

Minibusi po udhëtonte në provincën veriore Dakahlia ndërsa mes viktimave ishin tragjikisht dhe tre fëmijë, tha përfaqësuesi i ministrisë Dr. Sherif Makeen.

Mediat vendase raportonin se aksidenti u shkaktua nga një keqfunksionim i timonit të automjetit, por detaje të tjera nuk janë konfirmuar për momentin.

Në imazhet e publikuara shihej mjeti në ngjyrë të kuqe e të bardhë që kishte mbetur në pozicion thuajse vertikal i rënë brenda trupit ujor nga përplasja.

Dhjetra njerëz ishin mbledhur në vendin e aksidentit teksa punonjësit e shpëtimit vijonin përpjekjet.

Në të tjera foto shiheshin njerëz mbi trupin e autobusit që ishte krejtësisht i mbuluar nga uji.

Për fat të keq aksidente të tilla janë raportuar edhe më parë në Egjipt prej mirëmbajtjes së dobët të rrugëve dhe shkeljes së rregullave të drejtimit.

Në vitin 2021, rreth 7,000 njerëz u vanë në aksidente rrugore në një prej vendeve arabe me popullsinë më të madhe në botë.

Në korrik 25 njerëz u vranë dhe 35 u plagosën në qendër të Egjiptit kur një autobus u përplas me një kamion të parkuar në anë të rrugës.

Aksidenti i sotëm ndodhi rreth 80 km në veri të kryeqytetit Kairo.

FOTO GALERI
1/5
Të paktën 21 njerëz janë vrarë dhe gjashtë janë plagosur në një aksident të rëndë sot në Egjipt, kur një minibus doli nga rruga dhe ra në një liqen në Deltën e Nilit

Top Channel