Dorëheqja masive e serbëve i la të zbrazëta institucionet në komunat veriore të vendit.

Përkundër që ka filluar orari i punës në të gjitha institucionet publike, në Gjykatën Themelore të Leposaviqit nuk shihet asnjë person, madje edhe dera e gjykatës është e mbyllur që nënkupton se serbët që punojnë në këtë institucion nuk kanë dalë as të premten në punë.

Ndërkohë stacioni i policisë në këtë komunë mëngjesin e së premtes numëron vetëm 5 zyrtarë të gjithë shqiptarë, që po sigurojnë objektin.

E njëjta situatë është edhe në Stacionin Policor në Komunën e Zveçanit.

Pas dorëheqjes së serbëve në stacionin policor të Zveçanit nuk kryhen punët, brenda ndodhen vetëm policët për sigurimin e objektit që janë të gjithë shqiptarë dhe punojnë në ndërrim prej 12 orësh. Që nga e shtunë, policët serbë nuk dalin në punë as në këtë stacion.

Policia nuk patrullon rrugët e qyteteve veriore të vendit pas dorëheqjeve të serbëve, pasi u krijuan mungesa në staf.

Ndërkohë në Mitrovicën e Veriut është situatë tjetër, meqë në Gjykatën Themelore ka punonjës shqiptarë që po vazhdojnë të dalin në punë, njëjtë sikur edhe në stacionin rajonal të policisë.

Pas largimit nga institucionet, përveç njësiteve të KFOR-it që janë shtuar, në Veri ka rritur numrin e pjesëtarëve edhe EULEX-i.

Top Channel