Në takimin e grupit të punës për vizat në Bruksel, vendet anëtare të BE-së në kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi mbi vendimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, por ai do të hynte në fuqi vetëm1 nëntorin e 2023-shit, kur do të nisë edhe zbatimi edhe i sistemit Europian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Ky ishte kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që të mos bëhet një lidhje e tillë.

Në fund u vendos të përmendej edhe ETIAS, edhe data. Sistemi dixhital që evidenton hyrje-dajet e vizitorëve nga jashtë BE-së ne zonën e lëvizjes së lirë, Schengen, duhej të kishte nisur së funksionuari që këtë vit, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Presidenca çeke njoftoi se shtetet anëtare kanë diskutuar propozimin e saj për kompromis lidhur me kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit ETIAS.

“Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit asnjë konsensus; vendet anëtare, megjithatë, bënë përparim të rëndësishëm në negociata. Presidenca do t’u rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet ta përfundojë sa më shpejt punën për këtë çështje të rëndësishme”, thuhet në njoftim.

Shtetet që e kundërshtojnë lidhjen me ETIAS, e argumentojnë këtë me faktin që ai sistem mund të mos jetë gati as në 1 nëntorë të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Formulimi i ri, sipas disa interpretimeve, krijon hapësirën që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS.

Top Channel