Tensionet në seancë/ “Alkool, veprime të pahijshme dhe fjalor banal”, Kuvendi: Masa ndaj Palokës e Leskajt

10/11/2022 14:52

Seanca maratonë e cila përfundoi me votimin e buxhetit për vitin 2023, rinisi me tensione në sallë.

Pas shkëputjes 5 minutëshe, kohë e nevojshme për deputetët për t’u bërë gati për votim, ndërsa Kuvendi lëshoi sinjalin e transmetimit, duket se garda kishte bërë kordonin përpara foltores, ndërsa deputetët ishin të përfshirë në debat.

Në video shihet teksa Rama i kërkoi Nikollës që dy deputetë të opozitës të dalin jashtë. “A ka mundësi të dalin jashtë këta të dy..”

“Vjen këtu provokon e thua të dalin jashtë, për çfarë erdhe këtu” dëgjohet sakaq deputeti Bardhi.

Ndërkohë situata, lidhur me atë se cfarë ndodhi, duket të jetë qartësuar nga Kuvendi i cili në përfundim të seancës, tha se do të marrë masë ndaj deputetëve Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

“Kuvendi i Shqipërisë bazuar në Rregulloren e vet do të marrë masa disiplinore me përjashtim 10 ditor nga punimet, për deputetët Edi Paloka dhe Bujar Leskaj. Për shkak të konsumit të pijeve alkoolike, dy deputetët bënë veprime të pahijshme dhe përdorën një fjalor banal gjatë procesit të votimit. Kërkesa është bërë nga disa deputetë të Grupit Parlamentar të PS, sipas rregullores së Kuvendit”– thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Top Channel