Mijëra palestinezë në Gaza përkujtojnë liderin Jaser Arafat në 18-vjetorin e vdekjes (fotot)

10/11/2022 21:36

Palestinezët që morën pjesë në tubim mbanin flamuj të Arafatit, të Lëvizjes Fatah, dhe brohorisnin slogane me thirrje për “unitet palestinez”

Në Rripin e Gazës u mbajt sot një event përkujtimor për 18-vjetorin e vdekjes së Jaser Arafat, ish-presidentit të Palestinës dhe liderit legjendar të Organizatës për Çlirimin e Palestinës e Lëvizjes Fatah, raporton agjencia turke Anadolu.

Lëvizja Fatah organizoi tubim në zonën Qutayba në pjesën perëndimore të Gazës, ku morën pjesë mijëra palestinezë.

Palestinezët që morën pjesë në tubim mbanin flamuj të Arafatit dhe Lëvizjes Fatah dhe brohorisnin slogane me thirrje për “unitet palestinez”.

Duke folur për mediat gjatë tubimit, anëtari i Komitetit të Lartë Drejtues të Lëvizjes Fatah, Imad Al-Aga, tha se përvjetori i vdekjes së Arafatit është një mundësi e rigjallërimit, që të punohet për rritjen e unitetit palestinez.

Al Aga vuri në dukje se të gjitha grupet palestineze morën pjesë në ceremoninë përkujtimore, duke shprehur gatishmërinë e tyre për të përfunduar rrugën e nisur nga Arafat dhe ndjekësit e tij.

Jaser Arafat, presidenti i parë i Palestinës, i konsideruar si një nga simbolet më të rëndësishme të rezistencës palestineze, vdiq më 11 nëntor 2004 në një spital në Francë.

Javët e fundit territoret e pushtuara palestineze kanë qenë në mesin e operacioneve të ashpra të ushtrisë izraelite për arrestime të militantëve, në të cilat ka pasur viktima e të plagosur thuajse çdo ditë mes civileve.

FOTO GALERI
2/3
Javët e fundit territoret e pushtuara palestineze kanë qenë në mesin e operacioneve të ashpra të ushtrisë izraelite

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA