Mbretëria e Bashkuar dhe Zvicra po arrijnë një marrëveshje për bashkëpunimin shkencor pasi të dy vendet vazhdojnë të jenë të bllokuara nga një skemë e BE-së.
Tensionet politike nënkuptojnë se të dy vendet janë përjashtuar nga programi ‘Horizon’ i BE-së prej shumë miliardë paundësh. Si pasojë nuk ka fonde të reja si pjesë e marrëveshjes anglo-zvicerane.
Ministri i Shkencës në Mbretërinë e Bashkuar, George Freeman tha: “Të jesh një superfuqi shkencore do të thotë të thellosh marrëdhëniet ndërkombëtare me ekonomitë kryesore të kërkimit dhe zhvillimit si Zvicra”.
Marrëveshja do të fokusohet në fusha duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe kthimin e zbulimeve akademike në biznese fillestare. Të dy vendet janë përpjekur t’i bashkohen skemës kryesore të financimit të BE-së për kërkimin dhe inovacionin, ‘Horizon Europe’, i cili ka një buxhet prej 95.5 miliardë euro gjatë gjashtë viteve deri në vitin 2027.
Anëtarësimi i asociuar i Mbretërisë së Bashkuar në Horizon u ra dakord në parim sipas një traktati Brexit, të quajtur Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit. Megjithatë, Komisioni Evropian ka theksuar në mënyrë të përsëritur se asnjë afat i detyrueshëm për asocim nuk ishte specifikuar në atë marrëveshje.
Top Channel