Instituti i Oqeanografisë dhe Peshkimit në Kroaci ka publikuar një kërkesë të pazakontë në faqen e tij në Facebook duke ftuar qytetarët që ta ndihmojnë në kërkimin e një krimbi gjigant në Adriatik, i cili mund të rritet deri në gjashtë metra.
“Krimbi i madh i detit, i njohur shkencërisht si Eunice roussaei, është më i madhi ndër krimbat që jetojnë në detin Mesdhe. Një i tillë 6 metra i gjatë është kapur në Francë. Ai ndërton një vrimë të cilën nuk e lë kurrë. Është shumë i ndrojtur. Shihet natën kur del dhjetë centimetra, por sapo ndjen rrezikun tërhiqet menjëherë përsëri në vrimë”, shkruan Instituti në Facebook.
“Pavarësisht dimensionit dhe rëndësisë së tij magjepsëse për peshkimin, ne dimë shumë pak për biologjinë dhe ekologjinë e kësaj specie. Në fakt, jashtëzakonisht pak! Ne nuk e dimë se si riprodhohet apo sa jeton, ne vetëm hamendësojmë se çfarë dhe si ushqehet dhe ku shpërndahet, nëse është një apo ndoshta më shumë specie!”, deklaron Instituti i Oqeanografisë dhe Peshkimit.
“Për të vlerësuar ndikimin e gjuetisë por edhe për të marrë njohuri të reja për biologjinë e krimbit të madh, Drejtoria e Peshkimit ka nisur një projekt për monitorimin e tij, i cili po realizohet nga Instituti i Oqeanografisë dhe Peshkimit në Split. Ju ftojmë të na ndihmoni në kërkimin tonë duke na bërë të ditur nëse e dini se në cilat zona në detin tonë është prezente kjo specie dhe ku jo”, shkruan Instituti.
“Së fundmi, një peshkatar sportiv nga Spliti, Doris Marinoviç, na dhuroi një krimb të madh të kapur në ishullin Çiovo”, shton ai.
Top Channel