11 nëntori shënon vendosjen e armëpushimit të vitit 1918 dhe fundin e Luftës së parë të përgjakshme Botërore, e kjo datë, do të kremtohet me ceremoni zyrtare si nga Franca, ashtu edhe nga Gjermania.

Një event përkujtues është parashikuar të mbahet edhe në Prishtinë nga ambasada franceze, në bashkëpunim me misionin diplomatik gjerma në kryeqytetin e Kosovës. Të dyja vendet duan t`i përcjellin me këtë rast si Kosovës, ashtu edhe Serbisë, një mesazh të qartë.

Ambasada franceze në Prishtinë: Miqësia franko-gjermane tregon se pajtimi është i mundur edhe mes ish-armiqve historikë, e mund të shërbejë fare mirë edhe si model për pajtimin në Ballkan. Ajo gjithashtu dëshmon për vuajtjet e të gjithë popujve të përballur me mizoritë e luftës.

Edhe plani më i fundit që synon pajtimin e dy palëve, mban firmën e Berlinit dhe Parisit. Euractiv publikoi një ditë më parë detaje nga propozimi qe prej javësh, është rrethuar me një tis misteri. Në vend të njohjes dhe afateve strikte, drafti fokusohet tek normalizimi i raporteve nga një perspektivë e përbashkët e të ardhmes europiane, duke e pasur si elementin më kritik shkëmbimin e misioneve të përhershme, të ngjashme me ambasadat, por të një niveli më të ulët.

Aty theksohet se Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë raporte normale dhe të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta, do të udhëhiqen nga aspiratat e tyre të përbashkëta për anëtarësim në BE dhe do të duhet të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes tyre vetem me mjete paqësore duke u frenuar nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.

Top Channel