Erion Braçe “hedh poshtë” buxhetin: Taksim të barabartë! Mbështesni fermerët, rishpërndani të ardhurat

10/11/2022 15:11

Oponenca e opozitës në seancën maratonë për buxhetin e vitit 2023 nuk ishte surprizë për socialistët, por kritikat tingëlluan edhe më të hidhura kur ato erdhën nga brenda radhëve.

I pari që foli  pa dorashka ishte Erion Braçe.

“Mënyra se si ne buxhetojmë në 30 vjet është kthyer në rutinë. Rutina nuk frymëzon, rutina vdes çdo lloj frymëzimi, për të cilin ekonomia ka nevojë në kohë krize dhe kohë lufte. Me rutinë nuk shkon dot larg dhe e këtë e kam me ne”.

Pika më e ndjeshme e politikës ekonomike se një qeveri është sistemi i taksimit që në analizën e socialistit rebel është sot është  i padrejtë.

“Deklarimi marramendës deri ne 26 miliard lekë i fitimit nga biznesi i vogël nuk janë mirëqenie janë evazion, tatimi i sheshtë i të ardhurave nga kapitali nuk është i drejtë se je i pasur, nuk mund te jesh i privilegjuar dhe të taksohesh”.

Pakënaqësinë më të mëdha, ish- zëvendës kryeministri i shprehu kur radha i erdhi sektorit të bujqësisë.

“Jam kundër shkurtimeve në buxhetin aktual të 2022 për bujqësinë.  Ndaj kërkoj të paktën edhe 1 mld lekë shtesë për të paguar të gjithë ata që janë shpallur fitues ne aplikimet e këtij viti, që kanë plotësuar kushtet e që ato para i kanë jetike për të vijuar prodhimin për vitin e ardhshëm”.

Kolegët, të cilët e ndiqnin në heshtje i paralajmëroi për pasojat që shumë shpejt do i kenë pas porte.

“Kartelizimi i ekonomisë pasohet nga kartelizimi i tregut të punës. Do të ndodhë që do të vijnë edhe këtu shumë shpejt dhe kartelizimi i politikës është gërryerja më e madhe që mund t’i ndodhë demokracisë”.

Për anëtarët e kabinetit qeveritar, Baçe kërkoi përgjegjësi politike në rast dështimi në realizmin e politikave fiskale.

Top Channel