Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano njoftoi se të premten, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, takohet në kryeqytetin francez me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçic, por takimet do të jenë të ndara.

“Për t’i vazhduar përpjekjet e BE-së në ndihmë të Kosovës dhe Serbisë që të shmangin përshkallëzimin e situatës, të zbusin tensionet aktuale dhe të avancojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, Josep Borrell do të takohet veçmas me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçicin në Paris”

Takimet pasojnë krizën në veri të Kosovës, dhe largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e saj. Prishtina zyrtare nisi në 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme të Serbisë, pavarësisht këmbënguljes së komunitetit ndërkombëtar për shtyrjen e këtij afati. Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese. Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, dhe insistojnë për targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Top Channel