Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka akuzuar Rusinë për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve “të mundshme” kundër njerëzimit përmes transferimit dhe dëbimit të dhunshëm të civilëve nga Ukraina.
Në raportin e publikuar më 10 nëntor thuhet se autoritetet e imponuara nga Moska dhe vet Rusia i detyruan civilët të kalonin nëpër një proces kontrolli “abuziv” të njohur si filtrim, ku disa u ndaluan në mënyrë arbitrare, duke iu nënshtruar torturës ose keqtrajtimit, dhe ata i ndanë nga fëmijët e tyre.
Raporti thotë se dokumentoi raste në të cilat anëtarët e grupeve specifike – duke përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara – u transferuan me forcë në rajone të tjera të Ukrainës të kontrolluara nga trupat ruse ose u transferuan në mënyrë të paligjshme në Rusi.
Në maj, AI tha se ka dokumentuar krime të shumta lufte të kryera nga forcat ruse në komunitetet përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev, përfshirë edhe ekzekutime arbitrare, bombardime të zonave të banuara dhe raste të torturës.
Shtete e Bashkuara të Amerikës thanë, më 10 nëntor, se rreth rreth 40.000 civilë kanë vdekur në luftë.
Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar 7.8 milionë njerëz si refugjatë nga Ukraina në të gjithë Evropën, përfshirë Rusinë. Megjithatë, shifra nuk përfshin ata që janë detyruar të zhvendosen përbrenda Ukrainës.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.
Top Channel