Gjatë ditëve të para të pushtimit nga Rusia, hapësira ajrore e Ukrainës ishte e pambrojtur. Avionët rusë kryen sulme ajrore në thellësi të vijave të fronit.
Megjithatë Ukraina arriti të vinte në funksionim mbrojtjen e saj ajrore. Forcat ukrainase rrëzuan dhjetëra avionë luftarakë rusë, helikopterë, avionë të tjerë dhe raketa.
“Forcat ajrore të Rusisë kanë arsenal të madh armësh, por nuk ka qenë në gjendje t’i përdorin në mënyrë efektive për momentin sepse Ukrainë nuk po lejon hyrjen në hapësirën e saj ajrore. Por kapaciteti i Ukrainës me raketa të mbrojtjes ajrore nuk është aq i madh sa të mund të përballojë një luftë të gjatë”, thotë Justin Bronk nga Instituti “Royal United Services” .
Ndërkohë, Rusia po përdor dronë dhe raketa me rreze të gjatë për të goditur infrastrukturën dhe qytetet ukrainase.
“Perëndimi duhet të përqëndrohet në dërgimin e municioneve shtesë dhe zëvendësimin e raketave të vjetra të epokës sovjetike tokë-ajër me sisteme të reja. thotë Justin Bronk nga Instituti “Royal United Services” .
Vendet perëndimore kanë mbështetur Ukrainën me një sërë sistemesh të mbrojtjes ajrore. Ministri i Mbrotjes së Ukrainës tha se vendi i tij ka marrë dërgesën e parë të sistemit amerikan NASAMS, një sistem tokë-ajër me rreze të shkurtër dhe të mesme, si edhe sistemin italian të mbrojtjes ajore Aspide.
“Përparësia numër një janë sistemet mbrojtëse ajrore. Partnerët tanë e dinë këtë shumë mirë”, tha Oleksiy Reznikov, Ministër i Mbrojtjes së Ukrainës .
Gjermania dërgoi muajin e kaluar një sistem të mbrojtjes ajrore Iris-T dhe po furnizon dhjetra tanke kundërajrore Gepard. Franca ka dërguar sistemin e saj të mbrojtjes ajrore ‘Crotale’.
Por autorët e raportit thonë se Ukraina ka nevojë për më shumë dërgesa nga Perëndimi.
Nëse Rusia merr kontrollin e hapësirës ajrore pasojat do të ishin tragjike, thotë zoti Bronk.
“E dimë se çfarë ndodhi në Siri kur sulmuan forcat ajrore ruse, bombardime në shkallë të gjerë dhe jo vetëm në vijat e para, por edhe në qytetet e rrethuara. Ne e mbajmë mend çfarë ndodhi në Aleppo dhe Homs”, thotë Justin Bronk nga Instituti “Royal United Services”.
Këto dy qytete u shkatërruan nga sulmet ajore të Rusisë dhe të qeverisë Siriane në vitet 2015 dhe 2016 në kulmin e luftës civile. Dhjetëra mijëra njerëz u vranë, duke detyruar tërheqjen e forcave rebele.
Ndërsa forcat tokësore të Rusisë janë detyruar të zbrapsen në Ukrainën lindore, analistët druajnë se Kremlini dëshiron të përsërisë mbi qytetet ukrainase, taktikat e përdorura në Siri.
Top Channel