Tre të rinj amerikanë kanë vdekur teksa ishin me pushime në Meksikë, të helmuar nga monoksidi i karbonit, në një apartament të gjetur me anë të rrjetit gjysmë-informal Airbnb.
Viktimat Kandace Florence e Jordan Marshall, të dy 28 vjeç, dhe 33-vjeçari Courtez Hall kishin ardhur të vizitonin kryeqytetin meksikan për festën tradicionale të Dia de Los Muertos (Dita e të Vdekurve”. Trupat e tyre u gjetën nga ai që u kishte dhënë banesën me qera, teksa rojet e sigurisë kishin raportuar një erë të fortë gazi, shkruante rrjeti Bloomberg.
Autoritetet meksikane vijojnë të hetojnë vdekjen e tyre por autopsia ka përcaktuar se kanë vdekur nga helmimi i monoksidit të karbonit, raportojnë mediat.
Raportimet thonë gjithashtu se Florence ishte duke folur në telefon me të dashurin e saj më 30 tetor dhe i kishte thënë se nuk ndjehej mirë, para se telefonata të ndërpritej.
Më pas ai kishte njoftuar të zotin e shtëpisë për të kontrolluar për sigurinë e amerikanëve.
“Ne konfirmojmë vdekjen e tre shtetasve amerikanë në Mexico City. Po punojnë ngushtë me autoritetet për të hetuar shkakun e vdekjeve”, tha në një deklaratë departamenti i drejtësisë SHBA, sipas rrjetit WKTR.
Motra e Marshall, Jasmine Marshall, tha se i dha lajmin e rëndë nënës së saj kur mësoi për vdekjen e të vëllait.
Familjet ende nuk kanë marrë lajme konkrete për rrethanat e vdekjeve.
Ndërsa nëna e Hall, Ceola Hal tha për rrjetin WDSU se studentët e djalit të saj pedagog në New Orleans ishin të trishtuar nga humbja.
“Është e rëndë,” tha zonja Hall për rrjetin WDSU. “Asnjë prind nuk duhet të kalojë diçka si kjo që kalova me tim bir, askush nuk pret diçka të tillë”, tha ajo.
Top Channel