Një tërmet në perëndim të Nepalit ka vrarë sot të paktën gjashtë fshatarë, kater prej të cilëve fëmijë, teksa dridhjet shkatërruan shtëpitë e baltës në komunitetet e largëta në zonat pranë Himalajeve.
Tërmeti i orëve të para të mëngjesit të sotëm me magnitudë 5.6, goditi kur të gjitha familjet ishin në gjumë ose në shtëpi. Epiqendra e tij u shënua në parkun kombëtar të Doti, zonë pak e populluar, rreth 430 km larg kryeqytetit Kathmandu.
Mediat vendase tregonin grupe shpëtimit që pastronin rrënojat e shtëpive të shembura në kërkim të të mbijetuarve, teksa disa gra shihnin nga jashtë të ulura në të ftohtë me bebe të mbështjella me batanije në duar.
Lëkundjet raportohej se u ndjenë 536 km larg në jugperëndim në kryeqytetin e Indisë, New Delhi.
Ram Upadhyay, kreu i komunitetit rural Purbi Chowki në Doti, tha se tërmeti goditi në 2.12 të mëngjesit.
“Ishte një dridhje e fortë dhe dola menjëherë përjashtë, jemi duke punuar tani për mbledhjen e informacioneve dhe të trupave të viktimave”, tha ai.
Pesë njerëz kishin mbetur të plagosur, dy prej të cileve më rëndë, ndërsa tetë shtëpi ishin shembur, tha përfaqësuesi vendas i policisë Bhola Bhatta.
Nepali është ende në rindërtim pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2015 ku u vranë rreth 9,000 njerëz dhe u shkatërruan qyteza të tëra dhe tempuj shumë-shekullorë, në një goditje prej rreth 6 miliardë dollarë për ekonominë.
Kryeministri Sher Bahadur Deuba, i cili përballet me fushatën e rizgjedhjes këtë muaj, ofroi ngushëllime për familjet e viktimave.
Shërbimi gjeologjik i SHBA tha se tërmeti ishte në magnitudë 5.6 dhe tha se kishte ndodhur në një thellësi prej 15.7 km.
Top Channel