Një tërmet i magnitudës 5.7 shkundi mëngjesin e sotëm Marchet, në brigjet e Pesaros ne Itali, duke risjellë në mendje kujtime të hidhura për këtë zonë.
Tërmeti më i fortë u pasua nga disa lëkundje të tjera në pjesë të ndryshme të rajonit. Nga Ankona në Fano dhe Urbino: janë të shumta qytetet ku shtëpitë u lëkundën nga themelet ndërsa njerëzit janë përfshirë nga paniku duke dalë të tmerruar në rrugë.
Shkollat u mbyllën në Ankona dhe trafiku hekurudhor u pezullua.
Tërmeti ishte aq i fortë sa u ndje edhe në Romë, ne pjesë të tjera të Italisë Qendore, në Veneto dhe në Trentino-Alto Adige. Ende nuk ka raporte për të lënduar, por frika është e madhe.
Kryeministrja Giorgia Meloni, njoftoi se është në kontakt me agjencinë e mbrojtjes civile të shtetit, që monitoron situatën. Instituti i vullkanologjisë i Italisë thotë se tërmeti u regjistrua në orën 7 e 7 minuta të mëngjesit.
Epiqendra e tij ishte në Ankona, në brigjet e Adriatikut. Instituti Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara theksoi se lëkundja kryesore kishte një thellësi prej 10 kilometrash.
Sipas mediave italiane, një klinikë private në Ankona evakuoi me urgjencë pacientët si masë parandaluese. Një tërmet vdekjeprurës në 2016 goditet rajonet Marche, Umbria dhe Lazio, duke vrarë 297 persona dhe plagosur qindra të tjerë,e duke i lënë një plagë të thellë popullatës atje.
Top Channel