Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë nisur bisedimet për ndryshimin e Kushtetutës me qëllimin që në dokumenti themeltar të vendit të përfshihet pakica bullgare në pjesën e preambulës si popull shtetformues.
Një hap i tillë parashikohej në propozimin francez për kapërcimin e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve mbi çështjet që kanë të bëjnë me historinë, gjuhën dhe identitetin maqedonas, që i çeli rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në.
Kryeministri i RMV-së Dimitar Kovaçevski është në kërkim të mbështetjes nga partitë e tjera parlamentare pasi ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat apo me 80 nga 120 votat e deputetëve sa numëron Kuvendi.
Për momentin shumica parlamentare numëron 63 deputetë. “Ne bisedojmë për të ardhmen evropiane të vendit dhe për të gjitha vendimet që duhet t’i miratojmë me një konsensus të gjerë politik. Agjenda evropiane është mbi të gjitha, është interes i qytetarëve dhe i shtetit, ndaj duhet të veprojmë të gjithë së bashku”, tha Kovaçevski.
Partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE, e cila kundërshton Marrëveshjen me Bullgarinë, kërkon që partitë të bisedojnë për krizën ekonomike, rritjen e çmimeve të ushqimeve por edhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe thotë se ekzekutivi poi përdor ndryshimet kushtetuese për të spostuar vëmendjen nga këto probleme të ngutshme. Partia shqiptarë ndërkohë, BDI dhe Alternativa, që janë pjesë e qeverisë, i kanë mbështetur ndryshimet kushtetuese pa kushte, ndërkohë që Lëvizja Besa në opozitë insiston që ato të përfshijnë ndryshimin e formulimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë.
Top Channel