Sekretari i Këshillit rus të Sigurisë, Nikolai Patrushev ka takuar në Tehran homologun e tij iranian, Ali Shamkhani, me të cilin ka diskutuar për luftën në Ukrainë.
Sipas Këshillit rus të Sigurisë, në takimin e 9 nëntorit, ata kanë diskutuar edhe për sigurinë dhe sigurinë kibernetike.
Vizita e Patrushevit në Iran vjen katër ditë pasi Teherani pranoi për herë të parë se kishte furnizuar me dronë Rusinë, duke këmbëngulur se transferimi erdhi përpara se të niste lufta, në fund të muajit shkurt.
Me këta dronë iranianë, Rusia ka sulmuar tash e disa javë qytetet ukrainase.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë i kanë kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që të hetojë nëse Rusia ka përdorur dronë iranianë për të sulmuar civilët në Ukrainë.
Ndonëse e ka pranuar dërgesën në Rusi, ministri i Brendshëm iranian, Hossein Amirabdollahian, ka thënë më 5 tetor, se vendi i tij nuk është në dijeni për përdorimin e dronëve të tij në luftën në Ukrainë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Top Channel