Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me anë të një video mesazhi ka paralajmëruar një takim të mundshëm me presidentin serb, Aleksander Vuçiç në Paris me ndërmjetësim të presidentit francez, Emmanuel Macron.

Ai tha se përveç punimeve dhe darkës përgjatë Forumit të Paqes, prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje.

Kurti thotë se është i gatshëm për dialog për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke.

“Të dashur qytetarë, Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria. Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë. Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara”, tha Kurti.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashikohet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqjen nga institucionet e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA