“Gjel deti i Peqinit”, “ Të pafytyrë, pa din e iman”/ Porti i Durrësit përplas maxhorancën me opozitën në Kuvend

09/11/2022 11:22

Kalimi në parlament me procedurë të përshpejtuar i pr/ligjit për Portin e Durrësit, u shoqërua me debate të forta në parlament, mes deputetëve të maxhorancës e opozitës, ndërsa pjesë e tyre u bë edhe kryeministri Rama.

Ndërsa Enkelejd Alibeaj kërkoi nga kryeparlamentarja të ndjekë rregulloren, dhe të mos e kalojnë sot këtë pr/ligj.

“Të paktën minimumin e rregullores duhet ta ndiqni. Duhet t’i jepni respektin rregullores që gjithklush që voton sot ta ketë të deklaruar nderin apo fajin e madh që është duike votuar sot pro kësaj cështje.” u shpreh Alibeaj.

Përgjigjen e mori nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili ndërsa mbrojti marrëveshjen për portin e Durrësit, apeloi kolegët e opozitës ‘të mos shkojnë pas “këngës” së Sali Berishës’, duke akuzuar këtë të fundit si të paguarin e Kremlinit.

“Kuvendi i Shqipërisë çel një moment të rëndësishëm për Shqipërinë tonë të turizmit të qëndrueshëm. Porti i Durrësit shumë shpejt do kthehet në një prej porteve më të rëndësishme. Prandaj të gjitha akuzat që keni hedhur deri tani duhet t’i tërhiqni të gjitha mbrapsht. Ju nuk duhet  t’i shkoni nga mbrapa këngës së Saliut ai e ka mendjen në vend tjetër, është në borderotë e Kremlinit” u shpreh Balla.

Por opozita nuk bindet, ndaj edhe në fjalën e tij në seancë plenare, Alibeaj kërkoi transparencë, ndërsa foli për afera korruptive në këtë marrëveshje.

“Ore çfarë pazari keni bërë, me kë e këni bërë, sa fiton shteti shqiptar. Ku është transparenca në këtë mes. Harrojeni lotarinë kombëtare, harrojini të gjitha. Asgjë nuk krahasohet me këtë aferë. Minimalisht keni detyrimin për t’ua treguar shqiptarëve se çfarë po ndodh me pronat e tyre,” u shpreh Alibeaj.

Pjesë e debatit u bë edhe kreu i qeverisë, i cili akuzoi demokratët se po hedhin baltë mbi një nga investitorët më të mëdhenj.

“Me çfarë kurajë ti çohesh këtu dhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet të ekonomisë globale. Thjesht u fut më procedurë të përshpejtuar një pr/ligj që do marrë kohën për diskutim patjetër. Por ju jeni ca të mbaruar, të pafytyrë që nuk keni as fe as Atdhe as din e iman.

Edhe mos bërtit ti gjel deti i Peqinit ( i drejtohet deputetit Dashnor Sula), sepse ju po të kishit ju fytyrë ju nuk i bënit Shqipërisë ato që i keni bërë. Ju jeni paguar me para ruse për të rrëzuar qeverinë e Shqipërisë. Nuk je në vendin tënd këtu je aksident komplet. Mjerë Shqipëria për ty dhe për ata si ti. Ne nuk jetojmë në hënë. Jemi pjesë e asaj pjese të botës të cilës i ka hapur luftë Putini. I ka hapur luftë përmes inflacionit të luftës. Jeni bedela,” vijoi Rama.

Për fjalët e Ramës, Alibeaj kërkoi nga kryeparlamentarja Nikolla t’i tërheqë vëmendjen kreut të qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA