Buxheti 2023, Tabaku: Borxhi i fshehur është 1 mld euro. Kush mban përgjegjësi për abuzimin me fonde publike

09/11/2022 12:07

Me tone të ashpra e nisi fjalën e saj në Kuvend deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila tha se projekt-buxheti për vitin 2023 nuk është në funksion të shqiptarëve por të aferave.

Teksa dënoi gjuhën e përdorur nga kryeministri Rama në Kuvend, Tabaku tha se e njëjta gjuhë është përdorur gjithmonë për të mbuluar aferat dhe se ky është niveli i politik-bërjes në vend.

Deputetja tha se askush nuk mban përgjegjësi për abuzimin me fondet publike, ndërsa shuma totale e borxhit të fshehur dhe detyrime të prapambetura sipas saj është 1 mld euro. Kjo kosto tha Tabaku, nuk prek askënd tjetër veçse xhepat e shqiptarëve të thjeshtë, të cilët po përballen me rritje çmimesh dhe kosto të lartë jetesë.

Pjesë nga fjala e Tabakut në Kuvend:

Po mbrohet një aferë kur përdoret kjo gjuhë. Ju kujtohen mushkonjat e Divjakës si u mbrojtën nga kjo sallë. Kjo gjuhë tregon nivelin e politik-bërjes, llumin ku është sot politika shqiptare. Nuk e kam lexuar dokumentin e portit të Durrësit, se po luftojmë për transparencë. Ju kujtohet se edhe incerenatori i Elbasanit u mbrojt po me këtë gjuhë. Ish-deputeti i PS është kthyer prap në qeli sot. Kështu mbrohet çdo aferë, pastaj shiten e shkojnë pas hekura. U nis me paratë rusë e rublat, a u dëgjua gjë për pensionet, pagat? Sot gjithë familjet po përballen me krizë të thellë në xhepat e tyre. Sot kemi një ekonomi të ndërtuar në parimet e një pazari. Projektbuxheti 2023 e gjen vendin jo në kushte të përshtatshme. Të ardhurat janë të ulëta, inflacioni i lartë. Pritshmëria për rritjen ekonomike, më e ultë në rajon. Ekonomia shqiptare është e dobët dhe e keq-strukturuar, nuk ka asnjë arsye për tu krenuar me inflacionin. Varfëria po rritet më shumë mes shqiptarëve. Inflacioni pritet të rritet këtë vit për të shtrenjtuar më shumë jetesën e shqiptarëve.Tani rritja është në shifra anemike, e kam paralajmëruar në këtë sallë që kjo do të vinte. Prodhimi vendas ka rënë ne nivele negative.

Vetëm të japin leje ndërtimi dinë, por edhe kjo fushë është goditur. Rritja e çmimeve këtu tek ne ndihet më shumë. Për vitin tjetër borxhi do të shtrenjtohet më shumë se qeveria është zotuar se do të marrë një Eurobond të ri. Në çdo buxhet për vite me radhë PD ka kërkuar transparencën për borxhin e fshehur, i cili është rritur por gjurmët janë të dukshme, Sot po paguajmë për kostot e rindërtimit. Ministria e Rindërtimit, nuk kemi asnjë transparencë, asnjë raport, ndërkohë i vetmi është ai OSBE/ODIRH që thotë se janë jo transparente burimet. Qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë kredi të butë. Mijëra familje shqiptare të pastrehë presin ende ndërkohë, se kjo ndodh vetëm afër zgjedhjeve. Kush mban përgjegjësi për abuzim të fondeve publike. Sot ccdo produkt ushqimor është më i shtrenjtë. Shumica e familjeve të shtresës së mesme iu është shtrenjtuar kostoja e jetesës.

Për vite me radhë, në çdo buxhet faktik apo projektbuxhet në qendër të kërkesave të mia, së paku që nga viti 2017, ka qenë tema e “Borxhit të Fshehur.

Kjo mazhorancë që megjithëse u zotua që do të ulte borxhin publik në 60% të PBB-së dhe që siç tregojnë po shifrat e tyre ka shkuar në 70% të PBB-së ka rritur gjithashtu edhe borxhin e fshehur që në fakt aty mes shifrave dhe vetë e pranojnë e gjurmët i ka të dukshme për sytë e çdokujt.

Në nenin 7 të projektbuxhetit 2023 secili nga ju mund të lexojë qartësisht të zezë mbi të bardhë se qeveria shqiptare zotohet që të kalojë nga fondi i rindërtimit prej 5 mld lekësh për të paguar kontrata të firmosura por që në fakt nuk janë buxhetuar.

Një vit më parë, nga kjo foltore kam pasur një debat të fortë me qeverinë pikërisht për këtë temë. Qeveria, e njëjta pak a shumë, zotohej që ka ikur koha e borxhit të fshehur ndërkohë që të dhënat dëshmojnë të kundërtën e asaj që goja e qeverisë propagandonte.

Dhe meqenëse neni në fjalë në projektbuxhetin 2023 flet pikërisht për çështjen e rindërtimit dhe vlerën prej 5 mld lekësh që i kalohet nga fondi i rindërtimit për të paguar punë të kryera dhe të papaguara po e nis me projektin e rindërtimit. Që në të vërtetë është një recetë suksesi për një korrupsion specialistësh.

Nga viti 2019 e këndej në porotofolin e qeverisë u shtua një ministri e re e cila do të drejtonte procesin e rindërtimit për fatkeqësinë që ra në vendin tonë pas tërmetit 2019. Për fatin e keq, ministria e rindërtimit ishte as më shumë e as më pak se një tjetër tërmet i natyrës ekonomike në buxhetin e shtetit dhe mbi të gjitha në transparencën për publikun.

Sot e kësaj dite, megjithëse ministria nuk ekziston më, ne nuk kemi asnjë transparencë për fondet e rindërtimit se si janë tërhequr, ku është aplikuar për këto projekte dhe mbi të gjitha nuk kemi asnjë raport se si është punuar për këtë proces.

I trumbetuar nga të gjithë, përfshirë edhe superministrin e asaj kohe, se procesi i rindërtimit do të përfundonte në vitin 2022 ende ky proces ka mbetur rrugëve.

I vetmi raport serioz mbi këtë proces që kam lexuar është ai i OSBE-ODIHR që e përcaktonte procesin e rindërtimit dhe pagesat nga buxheti i shtetit gjatë fushatës 2021 si abuziv dhe në kundërshti me ligjin elektoral.

Të përfitosh nga fatkeqësia, të bësh shoë me fatkeqësinë, të bësh spektakël me jetët e njerëzve live në TV se po afrohen zgjedhjet, se kam parë në asnjë vend tjetër që ka kaluar fatkeqësi.

Fatura e rindërtimit sipas asaj çfarë shqiptarët mësuan publikisht ishte mbi 1 mld euro që në fakt u përkthyen në mbi 300 mln euro grante që u manaxhuan eksluzivisht nga Bashkimi Europian dhe me të cilat u ndërtuan shkolla dhe kopshte ndërkohë që pjesa e mbetur mbi 700 mln euro ishin dedikuar për kredi të butë.

Mirëpo qeveria e cila ka për detyrë të pasqyrojë ecurinë e projekteve të saj si në grante dhe në kredi ka vendosur të mbajë në errësirë këdo që kërkon informacion. Në regjistrin e kredive rezulton që qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë kredi të butë të siguruar nga konferenca e famshme prej 1 mld eurosh në lidhje me rindërtimin.

Sakaq, kontratat e zbuluara nga KLSH tregojnë se qeveria shqiptare ka firmosur kontrata për punë për të cilat nuk ka pasur asnjë fond në buxhetin e shtetit.

Për rrjedhojë jo vetëm që qeveria shqiptare nuk ka marrë asnjë nga kreditë e buta me vlerë 700 mln euro por ka shtuar gjithashtu edhe një faturë ekstra me vlerë 300 mln euro që mbahet nga buxheti i shtetit ndërkohë që vlera reale e borxheve dhe detyrimeve vetëm nga rindërtimit nuk bëhet publik, e mbi të gjitha qershia mbi tortë “raportet nuk publikohen qeveria ende nuk e ka përfunduar këtë proces”.

Dhe sot që diskutojmë projektbuxhetin 2023 ku shqiptarët po presin të kuptojnë se si qeveria do të angazhohet t’i mbrojë ato nga varfërimi, rritja e infacionit, rritja e kësteve të kredisë, rritja e çmimeve të produkteve të tavolinës, ata duhet të mësojnë se 400 mln euro janë detyrime të prapambetura pikërisht nga procesi i rindërtimit.

Ndërsa mijëra familje shqiptarësh të mbetur të pastrehë nga një fatkeqësi natyrore që presin ende nga qeveria për të ndërmarrë hapat që të aplikojë për kreditë e buta sot mësojnë se qeveria ka fryrë një faturë dhe ka krijuar detyrime të prapambetura dhe që do të thotë se për to procesi i rindërtimit është kthyer në një pazar.

E nuk mbetet me kaq, përtej rindërtimit është detyrimi nga gjyqet e arbitrazhit që sipas raportit të KLSH kap shifrën e mbi 388 mln eurove dhe jo aq sa pretendon ky projektbuxhet. Shihini shifrat dhe tabelën e detyrimeve që do të duhet të paguajmë në një formë apo në një mënyrë tjetër sikundër po ndodh sot me çështjen Beketi. Dhe kjo shifër e cituar prej meje është një vlerë në të cilën janë përfshirë gjyqet e nisura që nga viti 2015 e këndej dhe në proces janë dhe 5 gjyqe të tjera që sipas të njëjtit burim kanë një vlerë ekstra prej mbi 227 mln euro.

Vlera e 388 mln eurove është tanimë një detyrim që buxheti i shtetit do të duhet ta paguajë, një shifër që në fakt dëshmon mënyrën abuzive dhe të pandershme se si kjo qeveri ka manaxhuar arkën e përbashkët të shqiptarëve.

Kësaj shume nëse i shtohen rreth 20 mln euro detyrime nga GjEDNJ dhe më tej rreth 160 mln euro që njihen nga vetë qeveria si detyrime atëherë shuma totale e borxhit të fshehur dhe detyrime të prapambetura është thuajse 1 mld euro. Një kosto që çdo shqiptar do të duhet ta paguajë njësoj siç paguan sot e kësaj dite kostot e rritura të projekteve të PPP-ve në buxhetin e shtetit si fjala vjen Rruga e Arbrit që nisi me 250 mln euro dhe po përfundon me 500 mln euro

Apo siç përfundon inceneratori i Tiranës që në vitin 2019 ishte parashikuar që në vitin 2021 do paguhej 76 mln euro ndërsa faktikisht është paguar 102 mln euro sipas të dhënave të tabelës së buxhetit të shtetit. Pra projekte që rriten vit për vit duke dëshmuar realisht se për çfarë është përdorur borxhi të cilin qeveria e ka marrë dhe që sot do të duhet çdo shqiptar të paguajë më shtrenjtë duke hequr dorë nga ushqimi në tavolinën e tij për të paguar këstet e larta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA