Në protestën e katërt kombëtare që zhvilluan këtë të martë, pedagogët thanë se nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre, por kanë ndryshuar mënyrën e të protestuarit.
“Nuk jemi këtu për lojëra, për dinakëri, apo për të rrëzuar dikë nga pushteti, ne jemi këtu për të kërkuar të drejtat e munguara dhe të mohuara”, tha pedagogia Enkeleda Olldashi.
“Protesta ka ndryshuar mënyrën e të protestuarit, ne pushuam bojkotin absolut, por ne do të jemi qëndrestar këtu, ndoshta para kryeministrisë, ndoshta përpara ministrisë, në parlament, për t’u thënë qeveritarëve, pushtetarëve, që ne flakën do ta mbajmë”, u shpreh Aleksandër Petre, pedagog në FSHN.
Pedagogët kërkojnë që të rritet buxheti për arsimin e lartë në masën 1% të Prodhimit të Përgjithshme Bruto, nga e cila 0.3% te jetë për kërkimin shkencor.
“Duke folur në terma financiare kërkojmë që 160 milion të financohen për arsimin univeristar dhe 60 milionë të financohen për kërkimin shkencor”, shprehet Ismail Hoxha, pedagog në UPT.
Nëse kërkesat nuk do të plotësohen, mbetet si opsion bojkoti i sezonit të provimeve në muajin shkurt.
Top Channel