Ndërhyrjet ruse në zgjedhje shqetësojnë SHBA-në, ndërsa Kanadaja problemin më të madh e ka me Kinën. Kjo u pohua nga vetë kryeministri Justin Trudeau i cili e akuzoi hapur Pekinin se tentoi të ndërhynte në zgjedhjet vendit, të mbajtura në 2019-tën.
“Kemi marrë masa të qenësishme për të forcuar integritetin e proceseve tona elektorale dhe të sistemeve qe kemi. Ne do të vazhdojmë të investojmë në luftën kundër ndërhyrjes nga jashtë në zgjedhjet e demokracitë tona. Fatkeqësisht, kemi parë vende, aktorë shtetërore anekënd botës, qoftë Kina apo të tjerë, që vazhdojnë lojërat agresive kundër institucioneve tona”– tha Justin Trudeau.
Deklarata e tij erdhi pasi mediat lokale raportuan se inteligjenca kanadeze identifikoi një “rrjet klandestin” që mbështeti kandidatët kanadezë në zgjedhjet e fundit. Sipas raportimeve, të paktën 11 kandidatë u mbështetën nga Kina në zgjedhjet federale të vitit 2019.
Duke cituar zyrtarë anonim të inteligjencës, Global News raportoi se Pekini kishte dhënë fonde për këta kandidatë dhe se shumë prej tyre kishin pasur këshilltarë kinezë në fushatë.
Operacioni thuhet se u drejtua nga konsullata e Kinës në Toronto me qëllimin e qartë të ndikonte në politikën kanadeze. Përpjekja për ndërhyrje besohet të ketë pasur objektiv dy partitë kryesore politike – Partinë Liberale të kryeministrit Trudeau dhe partinë opozitare Konservatore, por është e paqartë sesa e suksesshme ishte kjo tentative.
Top Channel