Në vitin 2000, Eduart Belegu bën kapërcimin në nivele të larta në biznes, duke krijuar lidhje të rëndësishme.
Ai emërohet administrator i kompanisë “Darfo Albania”, subjekti koncesionar që kishte fituar të drejtën për riaktivizimin e aktivitetit të ferro kromit në Elbasan si dhe nxjerrjen e kromit nga minierat e Përrenjasit dhe Pojskës.
Në vitin 2001, kompania që ishte nën pronësi të italianëve të “Darfo” do të zgjeronte koncesionin edhe me minierat e Bulqizës.
Pra, Eduard Belegu drejtonte kompaninë që zotëronte mbi 95 % të aktivitetit tregtar të kromit në Shqipëri.
Për të kuptuar rëndësinë e kompanisë në fjalë, mjafton të themi se plot 5 % e depozitave botërore të kromit në atë kohë, përllogariteshin se ndodheshin në Shqipëri.
Drejtimi i “Darfo-s”, i dha Belegut akses dhe njohje në nivele të larta të politikës.
“Eduard Belegu ishte biznesmen i suksesshëm merrej me hidrokarbure, krom. Ishte shumë i suksesshëm në atë periudhë”, u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi.
Në vitin 2004, në fillimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai dallohej si një prej aderuesve të parë dhe më aktivë në atë kohë nga bota e biznesit. Belegu ishte anëtar i këshillit Drejtues dhe anëtar i Kryesisë së LSI-së.
Mbi të gjitha, ai njihej si një prej kontributorëve kryesorë financiarë në atë forcë politike. Në botën e biznesit, ai kishte krijuar një profil suksesi dhe shihej edhe nga politika si një kapital jo vetëm ekonomik, por edhe njerëzor.
Miqtë e tij të dikurshëm rrëfejnë se Belegu, ishte shpesh herë zgjidhja e problemeve të punëtorëve. Në disa episode, ai kishte cuar për kurim jashtë shtetit vartësit e tij.
Por këto, mbeten thjesht kujtime pasi nga momenti kur u zhduk, askush prej miqve të dikurshëm të Belegut nuk preferon të flasë për fatin e tij. I vetmi që e bënte, ishte Dritan Prifti, por edhe ai nuk jeton më sot.
Nisur nga profili i krijuar, LSI i besoi Belegut kandidimin për deputet në zonën Pogradecit në vitin 2005. Ai u pa si një ofertë e re dhe mori një numër të konsiderueshëm votash. Por, votat ishin të pamjaftueshme për mandatin.
Top Channel