Grida Duma, vendosi të mbyllë kapitullin e karrierës politike në Partinë Demokratike për të hapur një faqe të re në jetën e saj.

“Kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, reflektim që vjen pas një përpjekje edhe me të gjatë për të bërë të duhurën për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është në fakt vendimi i duhur.”

Në 2019 ndërpreu mandatin e deputetes si pasojë e vendimmarrjes politike të kryetarit Basha, ndërkohë sot si vendim personal. Në karrierën e saj politike Grida Duma ka pasur një ngjitje të shpejtë.

Në 2011 iu besua posti i zëvendësministres së Integrimit në qeverinë Berisha dhe me riformatimin e lidershipit demokrat, ajo u caktua koordinatore e më pas sekretare për marrëdhëniet me publikun.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit mbajti postin e nënkryetares së partisë. Në vijën e parë të politikës, Grida Duma zgjodhi të veshë kostumin e opozitares luftarake jo vetëm në sallën e Parlamentit, por edhe jashtë, në studio televizive duke bëre që shigjetat e sulmeve politike jo pak herë të ktheheshin drejt saj.

“Sepse nuk gjetën dot në kaq vite një aferë korrupsioni, një pazar pushteti, një ndyerje duarsh në përfitime. Por sot dua t’iu them që s’ja fal kurrë politikës së llumit, që ndoshta do jetë pengu i ditës time të fundit të jetës, ky peng është fakti që goditja që më bënin mua nën brez godiste pandërprere më thellë më shumë shpirtërisht tim bir. Se kam falur kurrë, nuk do ia fal kurrrë dhe s’do ja harroj kurrrë këtë politikës së llumit”

Vendimarrjet e lidershipit demokrat nga djegia e mandateve te lënia e Bashkive, për të kulmuar me ndarjen e thellë që tronditi themelet e Partisë Demokratike si pasojë e vendimit te Departamentit Amerikan të Shtetit që solli si rrjedhojë përjashtimin e liderit historik bënë që Grida Duma të braktise postin e nënkryetares pas zgjedhjeve të 6 marsit.

“Nëse nuk bëra dot, nuk bëra dot që të mos ndodh dot një 6 mars i dytë, do të thotë që duhet të di të bëj duke dhënë një model një shembull, që ndoshta sot ndryshon pak nga mendësitë nga ndërgjegjësimet për ujërat e ndenjura që durojmë të gjithë me kompromise.”

Grida Duma largohet nga politika aktive por jo përfundimisht prej saj. Mesazhi i fundit si deputete nuk ishte një lamtumirë.

“Do ta lë këtë mandat me besimin që siç kam bërë brenda politikës do di të bëj kudo që të jem si figurë politike me shpresën e Zotit.”

FOTO GALERI
1/16

Top Channel