Shembën pallatin, gjykata i fali/ Hoqën muret për lokalin! Pallati u rrëzua nga tërmeti, dy të vdekur

07/11/2022 14:00

Kjo fushë që sot përdoret si vend parkim për automjete në Durrës dikur ishte një pallat.

Ndërtesa u shemb nga tërmeti duke u marrë jetën 2 grave 26 nëntorin e vitit 2019. Sipas ekspertizës në katin e parë kishte pasur ndërhyrje në kolonat e pallatit për të zgjeruar një lokal.

Këtë të hënë gjykata e Durrësit shpalli të pafajshëm 4 nga 7 të akuzuarit si përgjegjës të pasojave fatale të tërmetit të 26 nëntorit.

Ata u akuzuan se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tyre në procesin e kolaudimit, legalizimit të ndërtimeve apo ndërhyrjeve të paligjshme në strukturat e objekteve çuan në pasojat tragjike, shembjen e objekteve që zunë nën vete jetë njerëzore natën teksa gdhihej 26 nëntori i vitit 2019. por gjyqtari i çështjes Artur Prenga, i caktuar nga KLGJ për të gjykuar një nga 3 çështjet e dosjes së tërmetit në objektet me viktima, vendosi pafajësi për Artur Terziun, pronar i lokalit Barons te pallati 6-katësh, ish-kreun e ALUIZNI-t Flamur Gjuzi, ish-kreun e INUK Artur Çela dhe arkitekten Neviana Isufi.

Ndërkohë u dënuan lehtë të ashtuquajturit ushtarë të këtij procesi. Gjykata vendosi deklarimin fajtor të  të pandehurve Skerdi Bello, Albrend Qetka dhe Aldo Dekovelli për kryerjen e veprës  penale  “Shpërdorimi  i detyrës” dhe në përfundim i dënoi ata me heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.

Madje këtyre të fundit i ngarkohen dhe shpenzimet gjyqësore. Prokuroria e Durrësit deklaroi se do e ankimojë vendimin pasi është e provuar rrezikshmëria e veprimeve apo mosveprimeve të këtyre personave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA