Serbët kanë vazhduar me largimet nga institucionet e Kosovës, të hënën deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre.

Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar dorëheqjet e tyre të parevokueshme qe tash bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme është i obliguar të njoftojë Presidenten e Kosovës për vendet e lira në parlament.

Presidentja Vjosa Osmani, duhet të kërkojë propozime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zëvendësimin e tyre, po ashtu kandidatë për deputetë nga Lista Serbe.

Kjo çështje, sipas opozitës do të cungojë Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, me formalizimin e dorëheqjeve të kryetarëve të komunave dhe anëtarëve të kuvendeve komunale, Presidentja e Kosovës është e obliguar që brenda 45 ditëve të shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë që do të fillojnë përgatitjet në momentin e shpalljes së tyre.

Në anën tjetër, Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca thotë që nuk dëshiron që Serbia të dërgojë vendin në zgjedhje.

Tashmë kanë formalizuar dorëheqjet e tyre edhe policët serbë të Kosovës, derisa kanë filluar edhe dorëheqjet e gjyqtarëve, prokuroreve dhe ministri Goran Rakiç.

Top Channel