Rama ndan shtëpitë në Shijak/ Gjysma e familjeve që humbën shtëpinë janë në emigracion

07/11/2022 14:57

Kështu duket sot lagja e re e rindërtuar pas tërmetit qytetin e Shijakut, gati për të pritur banorët në fillim të dhjetorit.

Pas gati tre vite pritje ky djalë Daerl Arapi,  përmes shortit zgjodhi apartamentin ku do të banojë. Shorti u ndoq  nga vetë kryeministri Edi Rama.

Nuk diskutohet tha kryeministri që sot edhe Shijaku, si e gjithë Shqipëria as nuk krahasohet me ku ishte duke theksuar se kemi shumë akoma për të bërë .

“Në 637 apartamente që janë të reja, 247 janë për familje që kanë humbur shtëpinë, ndërkohë që janë në emigracion dhe ne nuk kemi bërë asnjë dallim. Atyre që janë këtu, 390 familjeve që janë këtu u kemi dhënë bonusin e qerasë, ndërkohë që atyre që janë në emigracion u kemi ndërtuar shtëpinë sepse unë jam i bindur që më herët sesa vonë shumëkush prej tyre do të kthehet këtu. Ky është një trend historik”, tha Rama.

Pasi vlerësoi punën e kryebashkiakut Elton Arbana në udhëheqjen e rindërtimit në Shijak , kryeministri pati këtë mesazh për shijakasit që do të shkojnë në zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023.

 “Ne e duam prap kryetar bashkie…dhe ndër kryetarët e bashkive të zonave të tërmetit është më i dalluari sa afër i ka ndejt njerëzve për sa efikas ka qenë në të gjithë …dhe sa urtësisht e mençërisht i ka zgjidhur konflikte”, tha Rama.

 

Top Channel