Pedagogët, protesta deri në zgjidhje/ Kreu i sindikatës pas kthimit në auditorë: Kryeministri ka bërë presion

07/11/2022 10:35

Pedagogët janë rikthyer në auditore. Sindikata njofton se ky është pezullim i përkohshëm i bojkotit që vijonte prej 3 javësh.

Ata thonë se qëndrimi i tyre ndaj qeverisë për të përmbushur kërkesat, ku kryesorja është rritja e pagave me 50%, nuk është zbutur.

Hapi i radhës i sindikatës  së punonjësve të universiteteve shqiptare do të jetë mbajtja e një proteste kombëtare.

Sindikata tha se presionet e kryeministrit çuan ne stepjen e pedagogëve për tu futur në grevë urie.

Krahas protestave kombëtare, opsion i hapur mbetet edhe bojkotimi i sezonit të provimeve në muajin shkurt, nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e pedagogëve.

“Qeveria heshti për arsye të politikës së tij, në vend që t’i përgjigjeshin kërkesave, u përfshinë në një fushatë intriguese duke dëmtuar rëndë institucionin e arsimit të lartë publik. Vijim protestash në të gjitha format, duke pezulluar përkohësisht bojkotin. Në datë 8 ora 11:00 duhet të jemi të gjithë bashkë për arsimin. Nuk është tërheqje, jemi në proces, ka një mendim të gjerë që duhet të vijojë mësimi, një pjesë e profesoriatit thanë se nuk është vendimi për ta ekzekutuar si vendim final. Kryeministri shprehu presion duke intimiduar. Ideja jonë ishte që kjo grevë të ishte sa më e gjerë. Nesër është mundësia e fundit pasi një grup përfaqësuesish do të jenë nesër në komisionin e Edukimit në orën 12:00.

Tre universitete kanë premtuar se do të financojnë 8%, në Shkodër është miratuar 2%, Shkodra nuk ka asnjë shans që të financojë 8%, nuk ka asnjë shans që të financojë financim shtesë, universitetet duhet të financojnë kërkimin shkencor, financimin ne studentëve. Grevë dhe bojkote periodike. Orët janë të zëvendësueshme, java e parë është javë njohjeje, nuk është zbutur qëndrimi, do zhvillohet me protesta periodike dhe bojkot të plotë nëse s’reagon qeveria”, tha Kovaçi.

“U përmbyllën tanimë 9 javë nga dërgimi i Peticionit Autoriteteve Përgjegjëse të firmosur nga mbi 70 % e stafit akademik e administrativ, 7 javë protesta e forume universitare dhe 3 javë bojkot të procesit mësimor, me synim sensibilizimin e autoriteteve dhe opinionit publik për realizimin e kërkesave plotësisht të drejta të profesoratit dhe stafit ndihmës. Përshkallëzimi i hapave të ndjekur nga punonjësit akademikë, ndihmës-akademikë dhe administrative, erdhi si rrjedhojë e indiferentizmit dhe arrogancës së autoriteteve, që janë përgjegjëse, për situatën aktuale. E kemi fjalën si për Qeverinë dhe Ministrinë përkatëse, por dhe për institucionet e arsimit të lartë publik.

Pavarësisht kësaj, kjo periudhë pati një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e arsimit të lartë. Ajo u bë arenë debati publik për çështjet e arsimit të lartë. Dhjetëra emisione televizive e analiza në media u zhvilluan, po ashtu mjaft artikuj në gazeta dhe rrjete sociale u publikuan. Shumë personalitete akademike e të shoqërisë civile shprehen në mënyrë të hapur e me kuraje mendimin e tyre intelektual e qytetar për problematikat e zhvillimit të arsimit të lartë publik. Ndërkohë Parlamenti dhe politika në tërësi nxit dhe e bëri atë çështje të ditës.

Duam të theksojmë dhe një herë se lëvizja intelektuale e punonjësve të IAL-ve publike, e mbështetur nga SPUSH, është lëvizje, që synon t’i shndërrojë universitetet publike në vendin e dijes dhe zhvillimit tërësor të studentit.

Shumë është folur, por pak është bërë për universitetin, i cili duke vepruar si një komunitet studiuesish në shërbim të interesit publik, do duhej të ishte prioriteti i çdo qeverie. Qeveritë në vijimësi nuk po mundësojnë ta sjellin tempullin e dijes në nivelin që meriton. Sot ky tempull, shfaqet me reputacion të lëkundur. Lëvizjet sindikaliste, në fokus të tyre kane të drejtat e punonjësve dhe në këtë rast, nuk mund të bënte përjashtim as organizimi sindikalist i punonjësve akademikë dhe ndihmës akademikë të arsimit të lartë në vendin tonë.

Duke e parë me sy kritik dhe shqetësim atë që po ndodh brenda mjediseve akademike, bashkarisht konsideruam se mbështetja financiare e cunguar, është me ndikim direkt në cilësinë e shërbimit ndaj studentit, ndaj iu drejtuam Qeverisë, sepse pavarësisht autonomisë, ajo ka detyrimin për ta mbështetur dhe mundësuar cilësinë, dhe certifikon ky institucion. Për habinë e gjithkujt, Qeveria heshti, ose bëri ca zgjidhje kozmetike dhe këto të pasigurta dhe që nuk ndikojnë cilësisht në ndryshimin e gjendjes”, – u shpreh kreu i Sindikatës, Sandër Kovaçi.

Pas disa javësh bojkoti mësimor për plotësimin e kërkesave, ku më kryesorja ishte rritja e pagave, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë vendosi:

1. Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët;

2. Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara;

3. Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!

4. Të zhvillojë Protestën Kombëtare Universitare të radhës, ditën e Martë, datë 8 Nëntor 2022, ora 11.00, përpara Korpusit Qëndror të UPT.

Pak ditë më parë pedagogët njoftuan se do të hynin në grevë urie nëse qeveria brenda dy ditësh do t’i jepte një përgjigje në lidhje me kërkesat.

Pas përfundimit të afatit, ata kërkuan nga qeveria garancinë e jetës nëse do të hynin në grevën e planifikuar më parë.
Viti i ri akademik nisi me bojkotin e pedagogëve të universiteteve publike, të cilët paraqitën si kërkesë kryesore rritjen e pagave.

Që prej asaj dite kanë vijuar paraqitjen e kërkesave të tyre, ku më pas u shoqërua me thirrje për protesta kombëtare.

Qeveria ra dakort për një rritje me 15 % të pagës, ku vetëm 7 % do të paguhej nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga universitetet përkatëse. Pedagogët nuk ranë dakord me këtë vendim dhe vendosën të vazhdonin bojkotin e mësimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA