Fushata për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA hyri sot në ditën e fundit ndërsa mbrëmjen e djeshme presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump, mbajtën tubime me shpresën të elektrizojnë elektoratin e tyre.
Thirrjet e fundit për votuesit e tij, Biden i bëri në Nju Jork, ndërsa Trump nga Florida.
“Dy ditë dhe zgjedhjet më të rëndësishme në jetët tona do të marrin formë në këtë vend, për dekadat që do të vijnë. Ne jemi në një nga ato pikat e kthesës kur ajo çfarë do të ndodhë në dy vitet e ardhshme do të ketë më shumë të bëjë me atë se si duket ky vend pas 20 vjetësh se çdo gjë tjetër”– u shpreh Biden.
“Nëse doni siguri për familjen tuaj, siguri për komunitetin tuaj, ju duhet të votoni për largimin e demokratëve dhe të besoni republikanët në fletëvotim”, – tha Trump.
Vota e latino-amerikanëve konsiderohet e një rëndësie kyçe në zgjedhjet e së martës, dhe Trumpi nuk e la këtë gjë t’i shpëtonte në fjalën e tij.
“Çdo amerikani hispanik në Florida e kudo në këtë vend, u them se ju mirëpresim krahëhapur në partinë tonë“- shtoi Trump.
Kohët e fundit, duket se ka një zhvendosje të preferencës drejt republikanëve të cilët po përpiqen që të marrin nga demokratët kontrollin e dy dhomave të Kongresit.
Republikanët konsiderohen favorit për të fituar në Dhomën e Përfaqësuesve, por fitorja në Senat ende paraqet një sfidë më vete sipas sondazheve. Marrja e kontrollit e një prej dhomave të Kongresit nga republikanët do të paraqiste një pengesë të madhe për axjendën legjislative të Biden.
Me fushatën që përmbyllet sot, partia e tij po bëhet gati të humbë edhe në ato pjesë të shtetit ku demokratët zakonisht dalin mirë në zgjedhje.
Top Channel