Situata në burgjet greke dhe sistemimi i kushteve të jetesës për afro 1400 të dënuar shqiptarë që mbahen në këto burgje, ishte në fokus të bisedimeve të zhvilluara në Athinë mes ministrit shqiptar të Drejtësisë Ulsi Manja dhe zëvendës ministrit grek të Mbrojtjes së Qytetarit Lefteris Ikonomu.
Me kërkesë së palës shqiptare, takimi u zhvillua në burgun e Koridhalos, për të dhënë edhe një mesazh se tashmë palët janë fokusuar në zgjidhjen e problematikave që preokupojnë të dy vendet.
“Pavarësisht se ju keni pasur probleme me ligjin e vendit që jetoni,mbeteni qytetarë shqiptarë dhe ne jemi këtu për ti dhënë zgjidhje problematikave tuaja“, u shpreh Manja.
“Greqia si fqinj por edhe si një ndër vendet më të vjetër në BE, duhet të na asistojë për procesin e negociatave për kapitullin 23 të negociatave,duke na treguar rrugën e duhur që të mos humbim kohë në rrugën e integrimit.
Greqia ka avancuar shumë përsa i përket drejtësisë digjitale, drejtësisë alternative dhe shkollën e magjistraturës. U theksua fakti që në fushën e bashkëpunimit gjyqësor,bashkëpunimi është i shkëlqyer edhe në fushën e ekstradimeve“, theksoi ai.
Edhe zëvendës ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit tha se është hera e parë në historinë mes dy vendeve, që një ministër shqiptar viziton një burg grek,ndaj jemi këtu që të zgjidhim problemet tuaja, tha ai duke iu drejtuar një përfaqësie të dënuarish që shprehën dëshirën të takojnë ministrat e dy vendeve.
Mjaft e rëndësishme u vlerësua edhe bashkëpunimi mes dy sistemeve penitenciare, ku palët dakorduan shkëmbimin e eksperiencave dhe vendosën të nisin menjëherë bashkëpunimin mes dy vendeve.
Autoritete greke thanë se numri i shqiptarëve në burgjet greke pakësohet çdo ditë, ç’ka ka bërë që tashmë numri i shqiptarëve të dënuar në burgjet greke të jetë më pak se 10% e të dënuarve në këto burgje.
Edhe të dënuarit falenderuan dy ministrat, madje i dhuruan Manjës një pikturë të bërë nga një i dënuar, të cilën Manja tha se do ta vendoste në zyrën e tij.
Vizita e ministrit shqiptar të Drejtësisë vijoi edhe me takim me homologun e Kostas Ciaras si dhe në parlamentin grek ku zhviilloi bisedime me Athanasios Haralampos, kryetar i Komisionit për etikën parlamentare.
Top Channel