Lihet e lirë pronarja e Porsche-s që qëlloi me armë të pastrehun kur i kërkoi të lëvizte makinën në SHBA (fotot)

07/11/2022 17:46

Një grua nga Tennessee që qëlloi me armë një burrë të pastrehë kur ai i kërkoi të lëvizte makinën e saj luksoze, i ka shpëtuar burgut në Nashville, duke u dënuar vetëm me më pak se një vit liri me kusht.

32 vjeçarja Katie Quackenbush, bije prokurori dhe nënë e katër fëmijëve, mori dje dënimin me 11 muaj burg për rrezikim të jetës pasi qëlloi me armë  në vitin 2017 Gerald Melton, sipas rrjetit vendas The Tennessean.

Quackenbush, e cila jetonte asokohe në Nashville dhe aktualisht në Texas, do të mund të kryejë detyrimet e paraqitjeve në vendin e ri të rezidencës.

“Kjo ka qenë eksperienca më e keqe e jetës time, por jam mirënjohëse që e kalova sepse më ka ndryshuar thelbësisht”, tha Quackenbush gjatë vendimit.

Quackenbush i kërkoi ndjesë viktimës së saj, ndërsa përpiqej të luante rolin e viktimës duke thënë se “e kanë tallur online”.

Më 26 gusht 2017, Melton, asokohe 54 vjeç, po flinte në trotuarin pranë barit Music Row, kur u zgjua nga tymi i makinës dhe muzika e lartë në fuoristradën ‘Porsche’ të Quackenbush, njoftonte policia.

Melton iu ankua gruas dhe nisi një debat me Quackenbush, e cila më pas e kishte pyetur nëse  “dëshiron të vdesësh sonte?”

Melton tha në gjyq se nisi të largohej kur Quackenbush doli nga makina dhe e qëlloi dy herë me një pistoletë, me një prej plumbave që e goditi në bark.

Quackenbush u kthye më pas në Porsche dhe bashkë me një pasagjere që kishte me vete, shkuan në restorant, e më pas në shtëpi.

Ajo nuk kishte treguar asnjë shenjë pendese dhe as njoftoi ngjarjen në polici.

Melton i mbijetoi plumbave pas tre operacioneve, thanë prokurorët.

Quackenbush u arrestua dhe u akuzua fillimisht për tentativë vrasjeje dhe sulm me armë.

Por në gjyqin e prillit akuzat e saj u zvogëluan në rrezikim jete të papërgjegjshëm — pasi tha se kishte përdorur armën në vetëmbrojtje për të trembur Melton.

Babai i Quackenbush është një prokuror në Texas, dhe dëshmoi se Melton kishte kërcënuar se do të vriste bijën e tij nëse ajo nuk ulte volumin e muzikës në makinë.

“Bija ime i kishte thënë, ‘Kam pistoletë me vete, kështu që m’u zhduk nga këtu,’” tha Jesse Quackenbush për rrjetin  Fox 17. “Më pas ajo qëlloi një herë si paralajmërim, pa dashur ta lëndonte, por ai vijoi të afrohej dhe ajo qëlloi për herë të dytë”, tha babai prokuror në mbrojtje të së bijës.

Një dëshmitar hodhi poshtë më herët në gjyq se Quackenbush ishte e frikësuar nga Melton, por ajo nuk mori fare në konsideratë fjalët e tij.

Prokurorja Amy Hunter soli gjithashtu shembuj të tjerë të historisë së kërcënimeve dhe arrogancës së Quackenbush.

Më parë ajo kishte kërcënuar të godiste një bebe me tullë, ndërsa në një tjetër rast kishte hedhur ujë ndaj një gruaje në restorant.

Quackenbush kërkoi falje në gjyq ndaj Melton për veprimet e saj — por u përpoq të luante rolin e viktimës, duke thënë se “ishte tallur online dhe nuk po gjente dot punë prej çështjes”.

FOTO GALERI
1/5
Foto e arrestimit te Quackenbush pas krimit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA