Qeveria e re italiane ka penguar 35 burra të zbresin nga një anije emigrantësh ku valëvitet flamuri gjerman, e kapiteni i saj refuzon të largohet nga porti në Catania pa zbarkuar të gjithë të mbijetuarit.
Të vetmit që u lejuan të zbrisnin nga anija Humanity 1 ishin 144 emigrantë, të mitur dhe persona me probleme shëndetësore, pasi prej dy javësh kërkonin të hynin në port.
Tensionet shtohen edhe më tej, kur dy anije të tjera shpëtimi mbeten ende në det në pritje për të ankoruar në Sicili. Mirëpo, Giorgia Meloni është treguar e prerë që në fjalimin e saj të parë si kryeministri e Italisë dhe ka premtuar se do të godasë emigrantët që udhëtojnë nëpër Mesdhe nga Afrika e Veriut.
Italia është një nga pikat kryesore të hyrjes në Europë, këtë e tregojnë të dhënat e OKB-së, pasi që nga fillimi i vitit, aty kanë mbërritur 85 000 emigrantë. Ata lundrojnë me varka të vogla dhe shpëtohen nga anije bamirësie gjatë udhëtimit të tyre.
SOS Humanity, shoqata bamirëse gjermane që operon me anijen, e konsideron të jashtëligjshëm veprimin e qeverisë italiane, dhe deklaron se “ligji i detit e detyron kapitenin që t’i sjellë të gjithë të shpëtuarit nga fatkeqësia në një vend të sigurt.
Të mbijetuarit kanë të drejtën e një kontrolli, i cili mund të bëhet vetëm në tokë”. Në mbështetje të tyre janë edhe grupet humanitare dhe dy politikanë italianë, të cilët kanë udhëtuar në Siçili për të protestuar kundër këtij procesi.
“Lironi të gjithë njerëzit, lironi ata”, tha ligjvënësi italian Soumahoro, duke e quajtur politikën e re të qeverisë “çnjerëzore”.
Top Channel