Një vit zgjedhor mbushur me probleme ekonomike, heqjen e mbrotjes me ligj që gëzonte aborti në nivel federal, si dhe shqetësime të tjera të mëdha mbi të ardhmen e demokracisë, po mbyllet me një ditë të plotë e të fundit të fushatës elektorale nga udhëheqësit e të dyja partive me thirrje drejtuar mbështetësve të tyre.
Presidenti Joe Biden zhvillon një tubim të hënën në mbrëmje në Merilend, ku demokratët kanë një nga mundësitë e tyre më të mira për të rimarrë vendin e guvernatorit që aktualisht mbahet nga republikanët. Shfaqja e tij aty është në përputhje me strategjinë e fushatës së po zbaton së fundmi zoti Biden për të shkuar në ato zona ky fitorja e partisë është e sigurt, duke shmangur shtetet ku gara është e ngushtë, e që mund të jenë përcaktuese për kontrollin e Kongresit.
Paraardhësi i tij, Donald Trump, mban tubimin e tij të fundit në kuadër të fushatës në Ohajo. Ky shtet ka një domethënie të veçantë për ish-presidentin, pasi ai po përgatitet për një tjetër kandidim për Shtëpinë e Bardhë. Ohajo ishte një nga vendet e para ku ai ishte në gjendje të provonte fuqinë e tij të qëndrueshme mes votuesve republikanë dy vjet më parë. Mbështetja që zoti Trump i dha JD Vance një biznemeni amerikan, dikur kritik i zotit Trump, i garantoi atij mbështetjen e republikanëve për të kandiduar për një vend në Senat.
Në një intervistë të transmetuar të hënën në një emisionin radiofonik zoti Biden paralajmëroi se përparimi i administratës së tij në çështjet kyçe, sikurse rritja e fondeve për kolegjet dhe universitetet, si dhe përpjekjet për të falur borxhet në kredi studentore për miliona amerikanë, do të ishte në rrezik nëse republikanët marrin Kongresin.
“Nëse nuk fitojmë, ata do të fshijnë gjithçka që kemi bërë”, tha presidenti. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin mbi përpjekjet për frikësim të votuesve, duke shtuar se “Amerika duhet të ndihet e sigurt në qendrat e votimit“.
Rezultatet e zgjedhjeve do të kenë një ndikim të fuqishëm në dy vitet e fundit të presidencës Biden, duke formësuar politikat mbi shumë çështje, nga shpenzimet e qeverisë tek mbështetja ushtarake për Ukrainën. Këto janë zgjedhjet e para kombëtare që nga sulmi i dhunshëm i 6 janarit në Kapitol.
Gjatë fushatës në Nju Jork për guvernatoren Kathy Hochul të dielën, zoti Biden tha se republikanët ishin të gatshëm t’i falni ata që kryen sulmin e dhunshëm të vitit të kaluar duke shtuar se pas sulmit të Paul Pelosit, bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, disa republikanë e konsideruan atë një incident të parëndësishëm duke nxjerrë justifikime.
“Nuk ka pasur kurrë një kohë gjatë karrierës sime ku të jetë lavdëruar dhuna bazuar në preferenca politike“, tha presidenti.
Top Channel