Gjermania po i qëndron deri në fund etiketimit si “motori ekonomik i Europës”: As inflacioni, kriza energjike, vështirësitë nga lufta në Ukrainë apo mungesa e lëndës së parë nuk i penguan dot sipërmarrjet gjermane që ta rrisnin prodhimin në shtator.
Industria, ndërtimi dhe furnizuesit e energjisë së bashku prodhuan 0.6 për qind më shumë se në muajin e kaluar, njoftoi Zyra Federale e Statistikave, dhe kjo në kohën kur projeksionet parashikonin shumta një rritje prej vetëm 0.2 përqind.
Sigurisht, ashtu si shumë të tjerë, as vendi i fuqishëm europian nuk ka imunitet ndaj krizës dhe ekspertët vazhdojnë të flasin për një recesion gjatë dimrit.
Megjithatë, ai nuk do të jetë aq i ndjeshëm sa gjatë krizës së koronavirusit për sa kohë që depozitat e gazit janë të mbushura mirë dhe furnizimet e bollshme e përjashtojnë nevojën për racionimin e gazit.Këtë e tregon edhe një sondazh i institutit Ifo në Mynih.
Sipas këtij sondazhi, sipërmarrjet aktualisht shqetësohen shumë më pak për ekzistencën e tyre sesa gjatë fazës së rritjes së pandemisë. Sipas të dhënave të publikuara në fund të tetorit,ekzistencën e tyre e shohin sit ë kërcënuar 7.5% e sipërmarrjeve.
Në qershor 2020, ato ishin 21.8%. “Përballë ngadalësimit të ndjeshëm ekonomik, sipërmarrjet po tregohen shumë të fuqishme”, ishte përfundimi i specialistëve.
Top Channel