Oligarku rus Yevgeny Prigozhin, aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin dhe i sanksionuar nga Uashingtoni dhe vendet evropiane, pranoi të hënën ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane.
“Zotërinj, ne ndërhymë, po ndërhyjmë dhe do të ndërhyjmë“, tha Prigozhin në një deklaratë të cituar nga ekipi i tij. “Me kujdes, e saktësi kirurgjikale, ashtu siç mundemi”, ka shtuar Prigozhin.
61-vjeçari, i bëri këto deklarata teksa po i përgjigjej një kërkese për të komentuar një raport të Bloomberg që thoshte se Rusia po ndërhynte në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.
Ky lajm vjen në ditën e fundit të fushatës në prag të zgjedhjeve afatmesme që do të formësojnë pjesën tjetër të mandatit të presidentit amerikan Joe Biden dhe mund të hapë rrugën për një rikthim në Shtëpinë e Bardhë nga Donald Trump.
Në shtator, Prigozhin konfirmoi se kishte themeluar grupin mercenar Wagner , anëtarët e të cilit kanë qenë në ballë të ofensivës së Moskës në Ukrainë. Deklarata e oligarkut rus u interpretua nga shumë analistë si dëshmi që Prigozhin po konsideronte një rol të mundshëm politik në Rusi.
Top Channel