Në kushtet kur Shqipëria është vendosur nën sulmet kibernetike të Iranit dhe shërbimet sekrete ruse kanë shtuar interesin e destabilizimit të Shqipërisë punonjësit e Shërbimit Informativ marrin një rol parësor.

Oljan Kanushi, numri dy i inteligjencës shqiptare pasi deklaroi se në tre vite janë larguar për arsye të pagave të ulëta 152 punonjës, shprehu mendimin se atdhe-dashuria duhet të prevalojë mbi shumën monetare që punonjësit e SHISH çojnë në shtëpi çdo muaj.

Oljan Kanushi: Çdo njeri që duhet të punojë në SHISH duhet të marrë parasysh që duhet ta kryej aktivitetin e tij për të mirën e vëndit. Rrogat asnjëherë mund te thuhet që janë të kënaqshme.

Ervin Salianji: Duhet të ketë rritje për punonjësit e shërbimit. Nuk është e mjaftueshme të punohet për kombin, atdheun apo shtetin dhe partinë.

Duke iu referuar një burimi në SHISH, gazetari Top Channel Muhamed Veliu, mëson se pagesa bazë për inspektor në rrethe është 55 mijë lekë, ndërsa ata të Tiranës  60.000 deri 62.000 lekë.

Për drejtuesit e aparatit qendror, inspektorët paguhen  80.000 deri në 90.000 mijë lekë. Këto paga janë shumëfish të ulëta nëse do ti krahasojmë me Kosovën.

Sipas një shkrimi të portalit Ekonomia, në Kosovë një inspektor në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë,  paguhet mesatarisht 2.500 euro në muaj.

Por çfarë mendojnë vetë njerëzit të cilët janë gardianët e sigurisë kombëtare për situatën e pagave në këtë institucion dhe kërkesat për largime nga puna?

Një zyrtar i SHISH në kushtet e anonimatit tha për Top Channel: Me këto ritme pas disa vitesh në SHISH  30 % e strukturës do të mbetet  bosh. Do të ketë  shumë braktisje. Do të punojë vetëm Aparati Qendror  sa për të marrë rrogat! E kështu inspektorët e terrenit po e lenë punën ose shesin informacion duke u korruptua ose dalin në reformë.  Me këto ritme të gjithë inspektorët e rinj që fillojnë do ta lejnë punën pas ca muajsh ose bëjnë vitin e marrin pagesën në  reformë.

Nuk janë vetëm inspektorët e thjeshtë që po largohen nga SHISH.

Drejtori një drejtorie të rëndësishme G.B kërkoi largimin dhe emigroi  në Gjermani.

Ai punonte në departamentin DSP që gjurmon dhe heton punonjësit  të cilët përfshihen në afera korruptive si shitja informacioneve, siç është rasti një drejtori dhe kolegut të tij në një qytet afër Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA