Protesta e serbëve në sheshin Car Lazar në Mitrovicë ka përfunduar qetësisht këtë të diel.
Njësi të shtuara të KFOR-it u vendosën në urën e lumit Ibër që ndan Mitrovicën e Jugut me të Veriut. Protesta u shoqërua me flamuj serb dhe këngë nacionaliste.
Goran Rakiç, kryetar i Listës Serbe ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe: Dje kemi dhënë dorëheqje, sot po ua kthejmë mandatin, pasi ju na keni zgjedhur e jo Prishtina. Mjaft më. Mjaft shkelje të Marrëveshjes së Brukselit dhe popullit serb. Unë qëndroj para jush me ndërgjegje të pastër, sepse bëmë gjithçka për ta parandaluar këtë. Me dorëheqjet tona mbrojmë marrëveshjen e Brukselit. Ne duam paqe, paqe dhe vetëm paqe. Ju lutemi mos bini pre e provokimeve, ne nuk jemi faktor përçarës, ne duam të tërheqim të gjitha vendimet e njëanshme për targat dhe të zbatohet Marrëveshja e Brukselit, duke krijuar Asociacionin e Komunave serbe.
Igor Simiç që deri dje ishte deputet i Kuvendit të Kosovës i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurtit sa i përket komunave serbe.
“Para disa ditësh Kurti tha se s’ka komuna serbe në Kosovë, tash s’ka institucione të Prishtinës në veri të Kosovës”. Në fjalimin e tij para protestuesve Simiç mes tjerash ka kërkuar nga ata të përshëndesin edhe Milan Radojciç, nënkryetar i Listës Serbe që është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Para masës ka folur edhe drejtori i suspenduar Nenad Gjuriç, ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ish kryetarja e Gjykatës së Mitrovicës Liliana Stevanoviç dhe të tjerë.
Serbët duket se nuk kanë ndërmend të ndalin revoltën ndaj qeverisë së Albin Kurti për çështjen e targave. Këtë të diel, kryetarët e komunave veriore të Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposavic dhe Zubin Potok dhanë dorëheqje para kuvendeve përkatëse.
I njëjti veprim u pasua edhe nga këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.
Lista Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi një ditë më parë për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Të shtunën, policët serbë në veri të Kosovës zhveshën uniformat, si shenjë për të treguar mos bindjen e tyre.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Ndërkohë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet. Ai thotë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.
Ndërsa Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë të shtunën se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë në rast se rrezikohet stabiliteti. Vetë Allbin Kurti ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës ta ruajnë qetësinë, duke thënë se ai nuk është kundër serbëve, por Beogradi është kundër tij.
Top Channel