Disa policë janë parë në punë në stacionin policor të Sveçanit në veri të Kosovës, edhe pas lajmërimit për dorëheqjen e tyre.

Ndërsa një pjesë tjetër ishin veshur civil, merrnin pajisjet dhe futeshin në makina private

Deri më tani as MPB e as Policia nuk sqarojnë se si po zbatohet dorëheqja e policëve.

Policët që ishin aty nuk kanë komentuar  nëse kanë dhënë dorëheqjen.

Të shtunën, policët serbë në veri të Kosovës zhveshën uniformat, si shenjë për të treguar mos bindjen e tyre.

Kryetarët e komunave veriore të Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposavic dhe Zubin Potok dhanë dorëheqje para kuvendeve përkatëse.

I njëjti veprim u pasua edhe nga këshilltarët në kuvendet komunale nga radhët e Listës Serbe.

Lista Serbe, e cila është  partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi një ditë më parë për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet. Ai thotë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.

Ndërsa Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë të shtunën se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë në rast se rrezikohet stabiliteti.

Vetë Allbin Kurti ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës ta ruajnë qetësinë,  duke thënë se ai nuk është kundër serbëve, por Beogradi është kundër tij.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA