Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar sot zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, pas braktisjes së institucioneve të Kosovës nga komuniteti serbë dhe zyrtarë të Listës serbe.

Kryeministri Kurti vlerësoi se qytetarët nuk kanë nevojë të brengosen për situatën në veri, sepse sipas tij, do të dështojnë përpjekjet Beogradit për destabilizimin e Kosovës.

“Nuk e dimë ne tash se çfarë ndikimesh do të ketë përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës, mirëpo unë e di që një përpjelje e tillë do të jetë pasukseshme, sepse shteti ynë është i fortë, duke qenë demokratik, duke qenë i rreshtuar me SHBA, NATO-në. Ndërkaq, liberalizimi i vizave është krejt diçka tjerë, dhe besoj se kjo sagë e stërzgjatur do të përmbyllet, dhe nuk ka lidhje me zhvillimet që bëhen në Kosovë, ndoshta në Beograd besojnë një gjë të tillë. Imazhi i Kosovës kurrë nuk është përmirësuar sikurse në këtë 1 vit e gjysmë të qeverisjes tonë”, tha Kurti.

Këto komente Kurti i bëri pas inaugurimit të Rrjetit për Hulumtim dhe Edukim të Kosovës (KREN) në Parkun për Inovacion dhe Trajnime në Prizren.

Sipas Kurtit, zhvillimet në veri mund të jenë të lidhura edhe me planin franko-gjerman.

“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj që të dëgjueshmit e tyre, janë pakrahasimisht strukturat e ndryshme ilegale, se sa qytetarët e vendit tonë që janë me përkatësi etnike serbe”, tha ai.

Kurti tha se është në kontakt edhe me mekanizmat të tjerë ndërkombëtarë të sigurisë, siç është KFOR-i.

Kreu i qeverisë ftoi sërish qytetarët serbë të Kosovës, që mos t’i lëshojnë vendet e tyre të punës, pasi që siç tha ai dobësohen shërbimet për qytetarët.

“Ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm, takime të rregullta edhe me organet e sigurisë ndërkombëtare siç është KFOR-i, e EULEX, por gjithashtu edhe me partnerët tanë siç është Quint. Pra ne shkëmbejmë informacione dhe përgatitemi mirë për çfarëdo mbrapshtie që mund ta bëjnë keqbërësit. Deri më tash jemi të suksesshëm në përgjithësi. Gjithmonë ka vend për përmirësim dhe besoj që qytetarët tanë nuk kanë nevojë për brenga shtesë. Me këtë rast i ftoj të gjithë qytetarët serbë të vendit tonë që mos t’i braktisin institucionet, që të mos japin dorëheqje, që mos t’i lëshojnë vendet e punës, sepse në këtë mënyrë vetëm dobësohet shërbimi ndaj qytetarëve. Ata nuk kanë presion prej neve, presionin e kanë prej Beogradit, i cili dëshiron destabilizim të Kosovës, mirëpo nuk do të mund ta bëjnë këtë”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi po ashtu se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe serioz, ku ligjshmëria dhe kushtetueshmëria nuk mund të kompremetohen.

“Situata e sigurisë rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të krimininalizuara. Në këto 20 vjet dhe në këtë periudhë sa një vit e tetë muaj sa jemi në qeverisje kemi bërë avancim të madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit…. Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe serioz, ligjshmëria dhe kushtetueshmëria nuk mund të kompremetohen, ato shkojnë bashkë në paqen dhe sigurinë dhe nuk do të ketë asnjë individ dhe asnjë grup më të fuqishëm se sa shteti ynë. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm mbi bazën e veprave të tyre penale dhe sjelljeve të paligjshme që i bëjnë”, theksoi ai./ Kosovapress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA