Kur kanë ngelur vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 8 nëntorit për Kongresin, demokratët dhe republikanët kanë angazhuar ish-presidentët Barack Obama dhe Donald Trump për të tërhequr më shumë votues.
Materiali në vazhdim sqaron se pse zgjedhjet që përkojnë me mesin e mandatit të një presidenti, janë kthyer në një fushëbetejë të ish-presidentëve.
Demokrati Barack Obama e përfundoi mandatin presidencial në vitin 2017, por ende gëzon mbështetje të madhe. Ai po bën fushatë në të gjithë vendin për të shtuar mbështetjen për demokratët.
“Udhëheqja aktuale republikane nuk është e interesuar të zgjidhë problemet. Ata duan të ngjallin zemërim dhe më pas të gjejnë dikë për ta fajësuar. Ata shpresojnë që kjo të tërheqë vëmendjen tuaj nga fakti që ata nuk kanë një plan të tyrin”, tha gjatë një tubimi ish-presidenti demokrat Barack Obama.
Në krahun tjetër, ish-presidenti republikan Donald Trump po përdor një frazë të njohur.
“Zgjedhjet u manipuluan dhe u vodhën dhe tani vendi ynë po shkatërrohet. Kam kandiduar dy herë. Kam fituar dy herë”.
Ndërsa amerikanët hedhin votën në zgjedhjet e mesmandatit, Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris po bëjnë fushata në mbështetje të demokratëve, për të ruajtur epërsinë e vogël në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 50 vendet e tyre në Senat. Analistët thonë se atyre u mungon tërheqja që kanë dy ish-presidentët.
“Trump-i, për shembull, mund t’i mbushë sallat e mitingjeve sepse është një folës i mirë dhe është argëtues. Obama është orator por nuk e shoh si argëtues. Ndërsa Biden nuk është as orator i mirë apo argëtues. Ndoshta për këtë arsye demokratët nuk po e përdorin shumë zotin Biden në fushatat përmbyllëse”, thotë për Zërin e Amerikës Tevi Troy me Qendrën për Politika Dypartiake.
Ndërsa anketat tregojnë se vetëm 40% e amerikanëve mbështesin punën e Presidentit Biden, fushata e zotit Obama në disa shtete shihet më e nevojshme.
Zoti Obama synon në ruajtjen e epërsisë në Kongres çka do t’i mundësonte Presidentit Biden të realizonte synimet legjislative gjatë dy viteve të tjera të mandatit. Ndërsa zoti Trump, ka qëllime personale, thotë William Howell, profesor në Universitetin e Çikagos.
“Ka të bëjë me fitoren e vendeve në Kongres dhe hedhjen e bazave për kandidim në vitin 2024, por edhe për t’u siguruar që është bartësi i standardeve të Partisë Republikane në vijimësi”.
Zoti Trump është pretendenti më popullor republikan pavarësisht padive të shumta në lidhje me taksat, biznesin dhe akuzave për ngacmime seksuale si dhe hetimet për trazirat e 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e tij.
“Ata më dërguan një fletëthirrje një ditë më parë. Mendoni. Këta njerëz janë mashtrues”, tha zoti Trump gjatë një tubimi.
Zgjedhjet e mesmandatit zakonisht janë një referendum ndaj administratës në pushtet. Rritja e inflacionit e ka vënë Presidentin Biden në një pozitë të vështirë.
Por vëzhguesit thonë se ndërsa zoti Trump është në qendër të vëmendjes, kjo përbën një mundësi që Presidenti Biden të ndikojë tek demokratët duke e larguar theksin nga ekonomia.
“Demokracia amerikane është nën sulm sepse ish-presidenti i mundur i Shteteve të Bashkuara refuzoi të pranonte rezultatet e zgjedhjeve të 2020-ës. Ai refuzon të pranojë vullnetin e popullit. Ai refuzon të pranojë faktin që humbi”, tha Presidenti Biden./VOA
Top Channel