Në mënyrë demonstrative dhe mes duartrokitjesh, policët serbë në Kosovë kanë hequr uniformat në mesin e një bojkoti masiv që komuniteti serb po i bën të gjitha institucioneve në vend.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njoftoi se ky hap u ndërmor në shenjë proteste ndaj pezullimit të Drejtorit të policisë për veriun, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi të zbatonte  vendimin e Prishtinës zyrtare për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës, ndërsa është e qartë se ai më gjerë reflekton pakënaqësinë me planin e ekzekutivit kosovar për targat në tërësi.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës. Vendosëm po kështu që serbët të largohen edhe nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri të vendit.”

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura. Në të morën pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut, përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë. Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në parlamentin e Kosovës, kjo parti që gëzon mbështetjen e presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka 10 vende të rezervuara për komunitetin serb. Në të njëjtën kohë që serbët rrezikojnë ta shtyjnë jetën politikë të Kosovës në një krizë të re, qeveria në Beograd zhvillonte një mbledhje urgjente për të diskutuar situatën, ku Vucic mësohet të ketë thënë pas takimit se Serbia nuk do të heqë dorë nga “politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”, deklarata këto që kontrastojnë qartë me zhvillimet e sotme.

Nuk ka ndihmuar shumë me sa duket dhe takimi që presidenti serb pati një ditë më parë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili u shpreh se palët kishin rënë dakord që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen. “Shpresoj që te gjithe të tregojnë përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, theksonte Lajçak përmes një postimi në Twitter.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA