Britanikët e mbajtur peng nga fiset vendase në Peru, pas lirimit tregojnë shkakun e protestës indigjene (fotot)

05/11/2022 17:00

Charlotte Wiltshire, një nga pengjet britanike që u mbajtën në barkën e turistëve në pyjet e Amazonës me partnerin Ken, të birin Luke dhe 100 të tjerë, ka folur me mediat për kërkesat e protestuesve indigjenë që kryen aktin ekstrem.

Gruaja përshkruante tmerrin e rrethimit të barkës nga grupet e banorëve vendas indigjenë me hanxharë në duar, teksa u mbajtën në kushte nxehtësie dhe me sasi të vogla uji.

Akti ekstren ishte kryer në formë proteste pas ndotjes masive të lumit ku ata sigurojnë jetesën, në të cilin ishin derdhur disa ton naftë dhe nuk kishte asnjë reagim nga qeveria peruane.

Rreth 120 vetë u mbajtën të burgosur nga vendasit si pjesë e protestës së tyre për rrjedhjet e naftës, sipas tyre të qëllimshme, në lumin vendas Cuninico, para se të liroheshin të gjithë të premten pasdite. Duke folur me të përditshmen britanike Mirror nga barka, pensionistja 54 vjecare Charlotte Wiltshire tha se situata e tyre kishte qenë e vrazhdë.

Ajo tha: “Ishim 120 njerëz të ngjeshur në një hapësirë të vogël dhe situata po bëhej e tensionuar sepse njerëzit nuk duronin dot më”.

Zonja Wiltshire nga Uellsi tha se iu kishin sjellë 40 litra ujë mëngjesin e të premtes por sipas saj, “40 litra mes 120 njerëzve nuk zgjasin shumë”.

Pasi kishin shëtitur në të gjithë Amerikën Jugore për tre muaj me të birin Luke Bunker, 28 vjeç dhe të dashurin Ken Wiltshire, 52, gruaja thotë se kishte dashur të udhëtonte si vendasit, me barka me krevate lecke, ku mund të kalohej nata.

Në hostelin e tyre në Taracota ata u njohën me guidën turistike që i shoqëroi te barka për udhëtimin e tyre në lumin Amazon.

Ata ishin nisur mbrëmjen e të mërkurës, dhe të enjtën në 10 të mëngjesit u ndaluan nga vendasit e zemëruar për sabotimin e ujit të lumit të tyre.

Ajo tregon: “teksa po i afroheshim fshatit u rrethuam nga disa barka me burra me thika e hanxharë. Kishte shumë ulërima”.

“Ata arritën të ngjiteshin në barkë dhe më shumë njerëz me hanxharë po vinin nga brigjet e lumit”.

“Ata flisnin spanjisht dhe unë nuk i kuptoja por dikush më tregoi atë që po ndodhte me ndotjen dhe mungesën e investimeve dhe infrastrukturës nga qeveria.

Anëtarët e komuniteteve thanë se do të mbanin turistët derisa të gjendej një zgjidhje për derdhjen e naftës krudo në lumë, ndërsa nuk është ende e ditur se përse ata vendosën për lirimin e tyre.

Turistët e mbajtur ishin nga SHBA, Spanja, Franca, Britania e Zvicra, mes të cilëve ishin dy gra shtatzëna.

Anëtarët e komunitetit thanë për mediat vendase se do të mbanin turistët për gjashtë deri në tetë ditë, derisa t gjendej një zgjidhje për derdhjen masive të naftës në ujin e zonës së tyre.

Watson Trujillo, kreu i komunitetit Cuninico tha se grupi kishte marrë masën radikale për të bërë presion ndaj qeverisë që të reagonte ndaj dëmit të rëndë mjedisor.

Pengjet janë liruar tashmë por informacionet për çështjen janë të pakta nga mediat peruane.

FOTO GALERI
2/7
Charlotte Wiltshire (majtas) , një nga pengjet britanike që u mbajtën në barkën e turistëve në pyjet e Amazonës me partnerin Ken, të birin Luke dhe 100 të tjerë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA