Shtatë dekada duke eksploruar oqeanin, 87-vjeçarja nuk ndalet: Sa herë zhytem shoh gjëra të reja…

04/11/2022 15:01

87-vjeçarja Sylvia Earle ka kaluar më shumë se shtatë dekada duke eksploruar oqeanin.

E moshuara thotë se nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të zhytet në thellësi të ujërave.

“Kam kaluar 7000 orë nën ujë, por ende jam duke marrë frymë, kështu që pse duhet të ndalem?”

Zhytësja amerikane ka qenë gjithmonë e përkushtuar në fushata ndërgjegjësuese nëpër botë, duke folur në shkolla, asambletë e OKB-së dhe në Kongresin e SHBA-së.

“Një oqean i shëndetshëm fillon me ndërgjegjësimin. Natyra është elastike, kjo na jep shpresë. Por ne duhet të punojmë për këtë dhe ta ndihmojmë atë për t’u shëruar”.

Një angazhim i tillë i palëkundur ndaj ruajtjes së oqeaneve i ka dhënë Sylvia Earle shumë tituj, ndër to edhe “Mbretëresha e thellësive”. Ajo u bërë shkencëtarja e parë femër në Administratën Kombëtare Oqeanografike dhe Atmosferike (NOAA) në vitin 1990. Qëllimi i saj më i madh është të ndërtojë një shkollë zhytësish të rinj, si dhe t’u japë akses njerëzve të zakonshëm të zhyten në thellësitë e oqeaneve.

“Kur zhyteni në thellësi, mund të ndjeni se bëheni pjesë e oqeanit rreth jush. Kafshët janë shumë kureshtare, u pëlqen të vijnë dhe t’ju vëzhgojnë nga afër. Është përvoja e kundërt e akuariumit. Kur jeni ballë për ballë me një peshk në mjedisin e tyre, është e vështirë të mos i shohësh si krijesa dinamike dhe të veçanta”.

Pas një jete të tërë në shërbim të oqeanit, Sylvia beson se të kuptuarit e natyrës është çelësi për rimëkëmbjen e saj. Ndër të tjera, thekson se oqeanet janë një botë e pafundme, ende e paeksploruar mirë, ku sa herë që zhytesh sheh gjëra që nuk i ke parë kurrë më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA