Qeveria polake do të vendosë një gardh përgjatë kufirit me eksklaven ruse Kaliningrad, për të penguar kalimet ilegale të kufirit.
Ky vendim, që u komunikua në Varshavë nga ministri polak i Mbrojtjes Mariusz Blaszczak, ka të bëjë me frikën brenda qeverisë, se Rusia mund të inskenojë një valë migrantësh në kufi. Kaliningradi kufizohet me Lituaninë dhe Poloninë, të dy këto vende anëtare të BE-së dhe të NATO-s.
Migracion nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut?
“Aeroporti në Kaliningrad tani lejon fluturimet nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Unë kam vendosur, të ndërmarr masa, për të rritur sigurinë në kufijtë polakë”, tha Blaszczak para gazetarëve dhe shtoi, se puna për bllokimin provizor të segmentit kufitar prej 210 km do të nisë brenda ditës se kësaj deklarate.
Sipas Blaszczak kompleksi kufitar do të përbëhet nga tre gardhe paralele me tela me gjemba në një lartësi prej 2,5 metrash dhe një gjerësi prej tre metrash si dhe do të ketë pajisjet e nevojshme elektronike.
Polonia në shtator të vitit të kaluar ngriti një mur të betonizuar prej pesë metrash të lartë përgjatë kufirit me Bjellorusinë dhe krijoi atje një zonë tre km të gjerë dhe 400 km të gjatë, hyrja e së cilës është e bllokuar për të gjithë ata persona, që nuk janë rezidentë në Poloni, madje edhe për punonjës të organizatave joqeveritare dhe gazetarë.
Dhjetra mijëra migrantë e refugjatë, kryesisht nga Lindja e Mesme janë përpjekur të kalojnë kufirin më 2021 nga Bjellorusia për në Poloni. Truproja kufitare polake dhe organizatat joqeveritare në vendin e ngjarjes vazhdojnë të njoftojnë për dhjetra tentativa të përditshme për kalime ilegale të kufirit.
Qëkurse masat u shfuqizuan në korrik, vazhdon të jetë e ndaluar që t’i afrohesh kufirit më pak se 200 metra.
Gardhi polak në kufirin me Bjellorusinë
Perëndimi beson, se vala e migrantëve nga Minsk ishte e nxitur, për të destabilizuar rajonin, gjë që e hedh poshtë qeveria bjelloruse. Ne kulmin e krizës Polonia dërgoi mijëra ushtarë dhe policë për përforcimin e patrullave të truprojës kufitare dhe miratoi një ligj, që lejon kthimin e migrantëve në Bjellorusi. Të ashtuquajturat pushbacks dhe në përgjithësi qëndrimi i ashpër kundër migrantëve i qeverisë së Varshavës u dënuan nga aktivistët dhe organizatat e ndihmës./ DW
Top Channel