Nuk ka akses në financat e PD-së, ku i gjen paratë për takimet? Berisha: Përdorim sallat që na ofrojnë falas bashkitë

04/11/2022 12:29

Grupimi i Sali Berishës brenda Partisë Demokratike vazhdon aktivitetet dhe agjendën politike, ndonëse Gjykata e Apelit ende nuk ka dalë me vendimin se kujt i përket vula dhe logoja e partisë më të madhe opozitare.

Sali Berisha ka akses në selinë blu, por jo në financat e PD-së. I pyetur nga gazetarët gjatë bashkëbisedimit të kësaj të premteje, Berisha tha se për takimet ka përdorur sallat që ofrojnë bashkitë dhe në këtë mënyrë nuk ka shpenzime monetare.

“Përveç tre-katër takimeve që janë zhvilluar në hotele, që të gjitha i ka pasur gratis. Kjo solli një sherr të madh mes Edi Ramës dhe kryebashkiakëve. Bashkitë kanë një sallë, ia ofrojnë forcave politike për aktivitete dhe kjo është e vërteta e atyre shpenzimeve”, tha Berisha.

Teksa Apeli nuk ka dhënë vendimin, Berisha akuzon Edi Ramën se po përpiqet të konfiskojë flamurin e PD-së:

“Nuk ka këtu, gjithçka është e ligjshme. Përpjekje e Edi Ramës për t’i konfiskuar flamurin PD-së. PD rezervon çdo të drejtë t’i përgjigjet atij në mënyrat më të merituara. Nuk kemi problem me asnjë tjetër, e kemi vetëm me Edi Ramën, që në një akt prej burracaku, kërkon të konfiskojë flamurin e forcës që solli pluralizmin në Shqipërisë”.

Top Channel