Ndërsa shtohen në mbarë botën katastrofat natyrore të lidhura me ndryshimet klimatike, janë bërë më urgjente përpjekjet për të ulur numrin e viktimave, për t’u përgatitur për krizat e mundshme dhe për të ndihmuar vendet që përballen me thatësirën.

Më 6 nëntor fillon Konferenca e 27-të vjetore e OKB-së për Klimën mes thirrjeve për marrjen e masave parandaluese.

Miliona familje në Siri i kanë mbijetuar 12 viteve të luftës, shpërnguljes dhe varfërisë së thellë. Por ndërsa fermat po pësojnë thatësira nga më të rëndat, disa nga këto familje nuk janë të sigurta se mund t’i mbijetojnë ndryshimeve klimatike.

“Ndryshimet klimatike na kanë ndikuar në mënyrë shumë dramatike para dhe pas zhvendosjes sonë. I ftohti është bërë shumë i ftohtë. I nxehti është bërë shumë i lartë. Fëmijët tanë janë shpesh të sëmurë”, thotë Um Jumaa, e zhvendosur nga Siria.

Në Afrikën Lindore, fëmijët po vdesin nga uria pasi po përjetojnë edhe thatësirën më të keqe në 40 vjet.

Përveç mungesës së ujit në Afrikë, Lindjen e Mesme, Evropë, Amerikë dhe Kinë, ekspertët thonë se katastrofat ekstreme të lidhura me motin po rriten në mbarë globin me një ritëm të pahasur më parë.

Vetëm përmbytjet këtë vit kanë vrarë më shumë se 2,300 persona, kryesisht në Pakistan dhe Nigeri. Zjarret kanë shkatërruar jetë njerëzish dhe mjetet e tyre të jetesës në pothuajse çdo kontinent.

Bota po vuan gjithashtu nga valët e të nxehtit, stuhitë vdekjeprurëse dhe ngritja e nivelit të detit.

Zyrtarët e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike 2022, e njohur si COP27, në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, thonë se aktiviteti do të përqëndrohet në sigurimin e mbështetjes së vendeve për të zbatuar politikat dhe zotimet që ato kanë bërë tashmë, por që deri më tani nuk kanë arritur t’i zbatojnë – politika që synojnë të ngadalësojnë ngrohjen e temperaturave globale ndërsa po ndodhin këto katastrofa natyrore.

“Ajo që shohim në botë është një hendek i madh në zbatimin e masave ndaj ndryshimit klimatik. Pra, ka një mangësi në aspektin e veprimit për zbutjen e pasojave, ka një mangësi në aspektin e veprimeve për përshtatjen”, thotë Hans-Otto Pörtner, nga Komiteti Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike.

Për më tepër, zyrtarët presin përpjekje të reja për të detyruar vendet e pasura që shkaktojnë ndotjen më të madhe që të paguajnë për shkatërrimin në vendet më të varfra dhe më të prekura.

Por në fermat dhe në fshatrat e Sirisë veriperëndimore, banorët thonë se kanë pak shpresë se vendet e fuqishme do të veprojnë në kohë.

“Thatësira do të thotë uri. Shpresoj që diçka ta parandalojë përkeqësimin e kësaj thatësire”, thotë siriania e zhvendosur Um Jumaa.

Fermerët vendas në Siri thonë se çdo vit burimet e tyre pakësohen ndërsa toka e tyre thahet dhe se pa masa të menjëhershme, ata së shpejti mund t’i bashkohen miliona njerëzve tashmë të zhvendosur për shkak të ndryshimeve klimatike./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA