Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot pritet të takohet në Beograd me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Sipas Presidencës së Serbisë, takimi pritet të fillojë në ora 18:30, por në njoftimin e 4 nëntorit nuk janë përmendur temat e diskutimit, e as nuk është paralajmëruar ndonjë adresim për media pas takimit.

Pas samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, u tha gazetarëve se ka pasur një bisedë të ndarë me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin për dialogun, Mirosllav Lajçak, me të cilët, siç tha ajo, ka folur për çështjen e riregjistrimit të makinave në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Bërnabiq: BE-ja po lejon Kurtin që të mos zbatojë marrëveshjet

Qeveria e Kosovës, më 1 nëntor, ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e veturave me targa që përmbajnë akronimet e qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga autoritetet e Serbisë. Bëhet fjalë kryesisht për targa KM që janë të paligjshme për Kosovën, por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në veri, ku jeton popullata shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Plani aktual i Qeverisë së Kosovës është që procesi i riregjistrimit në targa RKS (Republika e Kosovës) të kryhet në tri faza – në të parën paralajmërohen shoferët, në të dytën mund të paguajnë gjoba prej 150 eurosh, ndërsa, në të tretën do të lëshohen targat e provës.

Plani është që nga 21 prilli i vitit 2023 të përdoren vetëm targat RKS.

Për shkak se refuzoi që ta zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave, një ditë më herët, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka suspenduar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Pas këtij vendimi, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se të shtunën, do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet në veri, përfshirë ato gjyqësore, të policisë dhe nga institucionet e tjera.

Rakiq ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Listës Serbe me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, e cila do të mbahet më 5 nëntor./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA