Shqipëria merr kryesimin e Procesit së Berlinit! Samiti i radhës do të mbahet në Tiranë muajin tjetër

03/11/2022 19:21

Shqipëria ka marrë zyrtarisht kryesimin e Procesit së Berlinit dhe samiti i radhës do të mbahet muajin tjetër në Tiranë.

Në 6 dhjetor, do të organizohet i pari samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë.

Ndërkohë, në samitin që u mbajt këtë të enjte në Berlin, u përcoll qartë mesazhi i vëmendjes së ripërtërirë të Europës për Ballkanin Perëndimor, me nënshkrimin e tre marrëveshjeve të lëvizshmërisë që parashikojnë lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe dhe kualifikimeve për tri profesione: mjekët, arkitektët dhe dentistët.

Marrëveshjet u firmosën nga kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në samitin e Berlinit konsiderohen si të barabartë. Kancelari Scholz e bëri të qartë se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të shkëputet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Europës në tërësi. “Europa mund të kompletohet vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj”, ishte komenti i tij.

Top Channel